GAZETA E LONDRES – Shifra katastrofike: Mbi 19 mijë të vdekur në Turqi e Siri nga tërmetet
Orë të vështira vijojnë të përjetojnë të mbijetuarit e dy tërmeteve shkatërruese në Turqi dhe Siri; ndërsa presin lajme për të afërmit e mbetur në rrënoja, apo qëndrojnë prej ditësh në temperatura të acarta në pritje të ndihmave që po vonojnë.
Bilanci i viktimave sa vjen e rritet; përditësimi i fundit flet për të paktën 19.300 viktima.
Duke dhënë një numër të përditësuar të vdekjeve të enjten pasdite, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se 16,170 njerëz kanë vdekur vetëm në vendin e tij. Ndër kohë që në Siri janë raportuar 3162 vdekje.
Kërkimet për të mbijetuar vijojnë, por ekipet e shpëtimit nga ora në orë druhen se po e humbasin garën me kohën.
Megjithatë shpresa vijon pas momenteve kur një person është nxjerrë i gjallë nga rrënojat pas 72 orësh.
Një tjetër mrekulli erdhi nga qyteza e Hatait në Turqi, ku një nënë dhe fëmija i saj 2-vjeçar u shpëtuan nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Kosovës.
Lajmi u konfirmuar nga ministri i Mbrojtjes në Prishtinë Armend Mehaj. Në mesin e tragjedisë që sa vjen e merr përmasa më të mëdha, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për një katastrofë të dytë; Mungesa e strehimeve, ujit, karburantit, elektricitetit edhe temperatura nën zero mund të shkaktojnë shumë vdekje të tjera mes të mbijetuarve.
Zemërimi sa vjen e shtohet tek qytetarët në rajonet e prekura të cilët denoncojnë reagimin e vonuar të autoriteteve. Por presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, i cili vizitoi zonat e katastrofës, mbrojti reagimin e administratës së tij, edhe pse pranoi se fillimisht kishte pasur vonesa për shkak të kushteve të vështira.
Ai tha se është e pamundur të jesh i përgatitur për katastrofa të përmasave të tilla. Por opozita nuk mendon njësoj, dhe pretendon se Erdogan është përgjegjësi kryesor.
Situata është më e vështirë në Siri ku infrastruktura është shkatërruar jo vetëm nga tërmeti por edhe konflikti 12-vjeçar.
Turqia ka thënë se shpreson të hapë edhe dy kalime të tjera kufitare për në Siri për të mundësuar dërgimin e ndihmave të nevojshme atje.





