SHQIPTARI NEWS – Shkarkohet Rudina Hajdari si kryetare e grupit parlamentar Demokrat në Kuvend. Në vend të Hajdarit, është vendosur Myslim Murrizi. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se shkak për shkarkimin janë bërë debatet e forta në këtë grup, në lidhje me hartimin e Reformës Zgjedhore. Po të njëjtat burime bënë me dije, se grupi pretendoi se Hajdari nuk ka informuar ata në lidhje me ecurinë e Reformës Zgjedhore.
Hajdari doli hapur dje kundër të dyja forcave politike, PD e PS, pasi sipas saj, kanë bërë marrëveshje për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor.
Grupi Parlamentar Demokrat përbëhet nga 9 deputetë që hynë në Kuvend pas dorëzimit të mandateve nga Partia Demokratike, Lëvizja Soicaliste për Integrim dhe Aleatët. Kjo nuk është hera e parë që Rudina Hajdarit i vihen “shkopinj” nën rrota nga ky grup deputetësh. Korab Lita, pretendoi disa muaj më parë, se është emëruar ai në krye të grupit. Hajdari shkoi edhe më tej, kur tha se është kërcënuar në zyrë nga Lita për të lënë këtë post.

Por çfarë ndodhi dje?
Për tri orë u mblodh Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore. PS e PD janë dakordësuar për një sërë çështjesh, megjithëse mbledhja nisi me klimë të ashpër. Në përfundim, Gjiknuri kërkoi që deklaratat politike, Rama-Basha, të mos ktheheshin në një shkak për të braktisur tryezën e dialogut. Ndërsa, PD e pa këtë si një fitore nga ana e opozitës, dhe se maxhoranca sipas Bylykbashit u tërhoq nga deklarata e Ramës për të mos patur qeveri teknike. Administrata Zgjedhore dhe Kolegji do të diskutohen të hënën. Nga ana tjetër, Rudina Hajdari doli e pakënaqur nga takimi dhe tha se palët kanë rënë dakord për të miratuar një reformë pa ndryshim të sistemit zgjedhor.





