GAZETA E LONDRES – Shoqëria civile marshim proteste në Tiranë pas dhunës ndaj protestuesve në Zvërnec
Në reagim ndaj episodeve të dhunës së raportuara gjatë protestës në Zvërnec, ku protestuesit u përballën me ndërhyrjen e forcave private të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë zhvilluan këtë të shtunë një marshim proteste në Tiranë, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet shtetërore.
Marshimi nisi përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe vijoi drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, Ministrisë së Brendshme dhe më pas përfundoi përpara Kryeministrisë.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe që dënonin atë që ata e cilësojnë si neglizhencë dhe mosveprim të Policisë së Vlorës gjatë ngjarjeve në Zvërnec. Sipas tyre, efektivët e policisë nuk ndërhynë në asnjë moment për të ndaluar dhunën e ushtruar nga punonjës të sigurisë private të një kompanie, të cilët, sipas dëshmive dhe pamjeve të publikuara, kanë goditur dhe tërhequr zvarrë protestuesit.
Pjesëmarrësit në marshim kërkuan hetim të plotë të ngjarjes, si dhe sqarime nga institucionet përgjegjëse mbi rolin dhe kompetencat e forcave private të sigurisë gjatë përballjes me qytetarët protestues. Ata ngritën gjithashtu shqetësimin për mungesën e reagimit nga strukturat shtetërore, duke theksuar se garantimi i rendit publik dhe mbrojtja e qytetarëve është përgjegjësi e Policisë së Shtetit.
Qytetarët kërkojnë që autoritetet të japin përgjigje të qarta mbi veprimet e forcave private dhe të efektivëve të policisë, si dhe të marrin masa për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe u shoqërua me thirrje për respektimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projekteve që prekin interesin publik dhe mjedisin.





