KMA NEWS / Një ditë pas grabitjes spektakolare në afërsi të Riansit, nga të dhënat zyrtare rezulton se në 7 thasët e rrëmbyer ka qenë shuma 2.7 milion euro. Njëra nga makinat e tipit Chevrolet e cila u përdor për grabitjen konfirmohet e vjedhur në Serbi.
Supergrabitja e djeshme e 7 thasëve me valutë, në vetëm tre minuta, ka ardhur si pasojë e gabimeve të kompanisë private të sigurisë. Kështu është shprehur sot policia e shtetit, e cila pohon se vijon hetimet për grabitjen në Rinas.
Në një deklaratë për mediat, drejtori për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato u shpreh se krahas hetimeve për zbulimin e autorëve janë ngritur dhe grupet e punës për gjetjen e përgjegjësve.
Qato nënvizoi se kompania private e sigurisë ka shkelur rregullat gjatë shoqërimit të vlerave monetare. Më tej ai pohoi se:”Çështja në hetim po ndiqet me përparësi të lartë nga policia e shtetit në bashkëpunim me prokurorinë për krimet e rënda. Përveç punës që po bëhet për zbulimin e autorëve policia ka ngritur grupet e punës për të analizuar përgjegjësitë e strukturave përkatëse lidhur me sigurinë e transportit të vlerave monetare”, u shpreh Qato.
Bazuar në shkeljet e kryera, shtoi Qato, Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave për licensimin dhe çertifikimin në Drejtorinë e Përgjithshme për sigurinë publike gjatë paradites së sotme ka vendosur heqjen e çertifikatës së titullarit kompanisë “Jaguar”.
Subjekti privat i sigurisë fizike “Jaguar” ka shkelur këto rregulla
-Mjetet për transportin e vlerave monetare ishin të modifikuara dhe nuk plotësonin kriteret. Pabvarësisht se ne lejen e lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor janë shënuar automjete të prodhimit të veçantë
-Kamerat e instaluara në mjetin e blinduar nuk ishin të aktivizuara në momentin e ndodhjes së ngjarjes
-Njëri nga drejtuesit e mjetit të blinduar nuk kishte autorizim për të qarkulluar me këtë mjet
-Punonjësit e shërbimit ishin të pajisur me armë zjarri por nuk kanë reaguar në përputhje me ligjin për përdorimin e armëve
-Mjetet e gjurmimit nuk ishin vendosur sipas proçedurave standarte për shoqërimin e vlerave monetare
-Dy automjetet e shoqërimit të vlerave monetare nuk kishin logon dhe stemën e shoqërisë private të sigurisë fizike
-Punonjësit e shërbimit të eskortës nuk kanë njoftuar punonjësit e policisë së shtetit dhe nuk kanë bashkëpunuar me to në momentin e ndodhjes së ngjarjes sipas proçedurave standarte.
-Qendra e kontrollit të shoqërisë private të sigurisë fizike “Jaguar” nuk funksionoi për menaxhimin e këtij shërbimi.





