Presidenti, Bajram Begaj ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Top Channel pak orë pas mesnatës, ku mbeti i vdekur roja i sigurisë.
Ai u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese që ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.
Kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllimet familjes së rojës Pal Kola, i cili mbeti viktimë.
“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shkruan Begaj.
Rama: Agresion kriminal! Të përgjigjen agjencitë ligjzbatuese
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas atentatit ndaj godinës së Top Channel ku mbeti i vrarë roja i sigurisë.
Rama e ka quajtur këtë një akt agresioni kriminal dhe kërkon përgjigje nga agjencitë ligjzbatuese.
“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese!
Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.





