GAZETA E LONDRES – Të ndryshohet urgjent ligji për ushtrimin e profesionit privat të mjekut dhe specialistëve në institucionet shtetrore
Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit, ku mjekët onkologë janë akuzuar për abuzim me medikamentet dhe procedurat për mjekimin e të sëmurëve me kancer, kjo situatë ka sjellë një shqetësim të madh publik. Këta mjekë, të cilët punonin në Onkologjik, i orientonin pacientët drejt klinikave të tyre private, duke shfrytëzuar pozitat e tyre për përfitime personale.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, njëri prej tyre madje nuk ofronte fare shërbim në pavion, por i dërgonte pacientët në klinikën private të familjes së tij në zonën e Astirit. Ministria e Shëndetësisë ka pezulluar nga detyra të gjithë mjekët që janë nën hetim.
Por a mjafton vendimi i Ministrisë dhe dënimi nga drejtësia për të eliminuar këtë fenomen?
Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë duhet të mblidhen urgjentisht, për të ndryshuar ligjin për ushtrimin e profesioneve private nga mjekët dhe funksionarët që punojnë në institucionet shtetërore.
Ministrja e Shëndetësisë duhet të japë dorëheqjen, ose të paktën Kuvendi duhet ta thërrasë në interpelancë për të dhënë llogari.
Disa mund të thonë se kufizimi i ushtrimit të profesionit privat bie ndesh me të drejtat e njeriut, por nuk duhet harruar se është e pamundur të punosh dy turne në ditë në disa profesione dhe pa bërë kompromise që dëmtojnë pacientët. Më mirë tu rritet rroga dhe kërkesa e llogarisë mjekëve, sesa të humben jetë njerëzish për shkak të abuzimeve të tyre.
Çështja është e thjeshtë:
Dëshiron të punosh privatisht? Kjo është e drejta jote, por nuk mund të punosh njëkohësisht në institucione të rëndësishme shtetërore dhe në sektorin privat. Duhet të zgjedhësh njërën që të përshtatet më shumë.
Nuk është e drejtë të përfitosh nga shteti dhe qytetarët për të punuar privatisht. A mund të imagjinohet një këshilltar juridik i Kryeministrit, apo një jurist në Ministrinë e Drejtësisë, që bën avokatin privat në një çështje kundër dikasterit të tij?
Zgjidhja duhet të vijë sa më shpejt, përndryshe do të mallkohen edhe nga varri nga ata qytetarë që kanë humbur jetën vetëm për shkak të pasurimit të disa mjekëve të pandërgjegjshëm.
Këta mjekë duhet të përballen me ligjin dhe të dënohen maksimalisht për shkeljen e betimit të Hipokratit dhe për mohimin e misionit të tyre humanitar. Ata kanë njollosur moralisht bluzat e bardha, që kanë dhënë dhe japin një kontribut të çmuar në kushte të vështira për mbrojtjen e jetëve të qytetarëve.
Duhet të ketë dënim shembullorë për pseudo-mjekët dhe mbështetje pa kufi e solidaritet maksimal për të gjithë mjekët që i janë përkushtuar profesionit të artë dhe humanitar, duke sakrifikuar në çdo moment për shpëtimin e jetëve të njerëzve.






