GAZETA E LONDRES – Tensionet rriten në Los Angeles – Protestat kundër operacioneve anti-emigrantëve përplasen me vendimet e Trump
Los Angeles – Protestat kundër ndërhyrjeve federale për emigracionin po intensifikohen në qendër të qytetit të Los Angelos, ndërsa tensionet mes autoriteteve lokale dhe qeverisë federale janë përshkallëzuar ndjeshëm. Situata në Kaliforni po shndërrohet në një krizë politike e sociale, me përplasje të drejtpërdrejta mes Presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve demokratë të shtetit.
Protestat kanë hyrë në ditën e tretë, me policinë që ka shpallur qendrën e qytetit si zonë “grumbullimesh të paligjshme”. Disa automjeteve u është vënë flaka dhe ka raportime për plaçkitje. Në radhët e mediave ka pasur edhe të plagosur: një fotograf britanik iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pasi u qëllua me një “plumb sfungjer”, ndërsa një gazetar australian u qëllua me një mjet jo-vdekjeprurës gjatë raportimit në terren.
“Gjërat duken keq në Los Angelos”, deklaroi ish-Presidenti Donald Trump, duke kërkuar ndërhyrjen e ushtrisë. Ai urdhëroi dërgimin e 2,000 trupave të Gardës Kombëtare, një veprim që u kundërshtua nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.
Protestat kanë qenë të fokusuara kryesisht në qendër të qytetit. Në një incident të dokumentuar, gazetarja e BBC-së, Christal Hayes, filmoi një makinë që përplasej drejt protestuesve, duke shkaktuar panik të madh mes turmës.
Ndërkohë, nga Shtëpia e Bardhë, nuk ka shenja të tërheqjes. Zëdhënësja e Trumpit, Karoline Leavitt, deklaroi se reagimi i qeverisë federale është i nevojshëm pas “paligjshmërisë që është lejuar të përhapet” dhe fajësoi drejtimin “jo kompetent” të autoriteteve lokale në Los Angelos dhe në shtetin e Kalifornisë.
Në rrjetin e tij Truth Social, Trump ka sulmuar drejtpërdrejt kryebashkiaken e Los Angelesit, Karen Bass, dhe guvernatorin Newsom, duke përdorur me përçmim fjalën “Newscum” – një lojë fjalësh që përfshin termin fyese “scum” (llum).
“Nëse Guvernatori Gavin ‘Newscum’ i Kalifornisë dhe Kryetarja e Bashkisë Karen Bass nuk mund ta bëjnë punën e tyre, dhe të gjithë e dinë se ata nuk munden, atëherë qeveria federale do të ndërhyjë për ta zgjidhur problemin”, deklaroi Trump.
Guvernatori Newsom reagoi menjëherë, duke paralajmëruar se veprimet e Trumpit do të përkeqësojnë situatën dhe do të nxisin tensione të reja. “Ndërhyrja federale është përgjegjësi e Gardës Kombëtare të shtetit dhe do të minojë besimin e publikut”, theksoi ai.
Në SHBA, në rrethana normale, shtetet kanë kontrollin mbi Gardën Kombëtare. Aktivizimi i saj me urdhër të presidentit përbën një përshkallëzim të madh dhe vjen në një kohë kur përplasjet mbi politikën e emigracionit janë gjithnjë e më të forta.





