GAZETA E LONDRES – Ti nuk e meriton, zoti Rama… por çfarë t’i bëj unë popullit tim?!
Ka një ndjesi që më ndjek prej kohësh, sa herë afrohen zgjedhjet në Shqipëri.
E kam thënë me vete dhe sot po e ndaj publikisht.
Zoti Rama, ti nuk i meriton këto zgjedhje!
Nuk i meriton t’i fitosh, jo për arsye personale, por për gjithçka që përfaqëson ky pushtet që ka prodhuar më shumë hije mbi mirqënien e njerëzve, padrejtësi dhe arrogancë se çdo qeveri tjetër në tranzicionin shqiptar.
Kemi parë gjithçka, nga premtimet që shuhen sapo mbyllet fushata, te tenderët që fitohen përmes paracaktimit, e deri te mënyra si mbahen zgjedhjet me patronazhistë, presion dhe mungesë alternative reale.
Në asnjë vend normal, një Kryeministër që ka gjysmën e ish qeverisë në burg, që ka drejtësinë nën kontroll, që ndërton kulte personale përmes propagandës dhe e ka kthyer shtetin në pronë private të një partie, nuk do të kishte kurajën të kërkonte votën.
Por Shqipëria nuk është ende një vend normal. Këtu, krimi shndërrohet në sukses elektoral, propaganda në alternativë, dhe arroganca në “stabilitet”.
Dhe unë sërish pyes veten:
Po çfarë t’i bëj unë popullit tim?!
Si t’ua shpjegoj shqiptarëve se vota nuk është dhuratë për bukurinë e posterëve apo fjalët boshe në fushatë, por është kontratë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, dhe garanci për jetën tonë aktuale?
Si t’u them se ky njeri nuk mund të kërkojë më asnjë shans, kur vetë drejtësia që ai predikon ka filluar ta kafshojë nga brenda?
A nuk është turp dhe fyerje kombëtare që një qeveri, në vend që të japë dorëheqjen për nivelet katastrofale të korrupsionit, e shet burgosjen e zyrtarëve të saj si arritje?
Po kë arrestuat, zoti Rama?
Njerëzit që ju vetë i promovuat, i kandiduat, i futët në lista të mbyllura!
Tani doni të hiqni përgjegjësinë me një frazë të vockël: “është përgjegjësi personale.”
Jo, është përgjegjësi politike. Është përgjegjësia juaj!
Në çdo skandal që shpërthen nga inceneratorët te koncesionet, nga tenderat me një ofertë te patronazhistët e shpirtit, përgjigjja juaj është gjithmonë e njëjtë:
“Nuk dija gjë, nuk jam unë, është faj i kujt tjetër.”
Po nëse asnjëherë s’keni dijeni për asgjë, atëherë për çfarë jeni në krye të qeverisë?
Ti nuk e meriton:
Po çfarë t’i bëj unë popullit tim?!
Në mandatet që ju janë besuar, ju refuzuat të zbatoni Rekomandimin nr. 88 të Komisionit të Venecias, që kërkonte ndarje të qartë të pushteteve dhe mosndërhyrje në drejtësi.
Ju përqendruat pushtetet në një dorë, duke goditur thelbin e Kushtetutës.
Sot ekzekutivi, legjislativi dhe drejtësia janë nën hijen tuaj.
Neni 7 i Kushtetutës, që përcakton ndarjen dhe balancimin e pushteteve, është kthyer në një rresht të harruar në letër.
Ju e shtytë me qëllim ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke bllokuar për më shumë se dy vjet funksionimin kushtetues të shtetit.
Gjithçka u kthye në një pazar politik, në një lojë me emra dhe garanci për besnikëri.
Ju, zoti Rama, nuk zbatuat vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke e zhveshur shtetin shqiptar nga dinjiteti i ligjit dhe respekti për Kushtetutën.
Shembujt janë të shumtë dhe të pamohueshëm:
1- Teatri Kombëtar.
Ju shkatërruat me dhunë një pasuri kulturore kombëtare, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese e shpalli vendimin për shembjen antikushtetues. Ju vepruat si përpara ligjit, jo nën ligjin.
2- Institucioni i Presidentit.
Ju e politizuat procesin e shkarkimit të Presidentit të Republikës, edhe pse Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë iniciativë si të papajtueshme me Kushtetutën.
3- Ndarja territoriale.
Edhe pas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese, që kërkonin një rishikim real të ndarjes administrative, ju injoruat çdo detyrim për konsultim dhe korrigjim, duke e kthyer hartën territoriale në një instrument pushteti.
4- Të drejtat e pronës private.
Edhe pse vendimet e Kushtetueses kërkonin rregullim të kompensimit për pronarët, qeveria juaj zvarriti procesin dhe përdori çdo vonesë për të dëmtuar të drejtat themelore të qytetarëve.
5- Së fundi, edhe në rastin e zonjës Olta Xhaçka, ju, zoti Rama, keni refuzuar të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata vendosi që statusi i saj si deputete të shqyrtohej nga Kuvendi për shkak të konfliktit të interesit, pasi bashkëshorti i saj përfitoi status investitori strategjik.
Në vend që Kuvendi të vepronte sipas detyrimit kushtetues, ju dhe maxhoranca që drejtoni e injoruat vendimin, duke mbajtur në mënyrë të paligjshme një mandat parlamentar.
Kjo është një tjetër goditje flagrante ndaj rendit kushtetues dhe parimit të ndarjes së pushteteve.
Në këto dhe shumë raste të tjera, ju keni treguar që për ju Kushtetuta është një letër pa vlerë përballë interesit tuaj politik.
Ju e keni kthyer shtetin në një mjet force, jo në një gardian të ligjit.
Dhe unë sërish pyes veten:
Po çfarë t’i bëj unë popullit tim?!
Ndikimi juaj i drejtpërdrejtë në ngritjen e SPAK-ut ngriti pikëpyetje të mëdha për selekivitetin e drejtësisë, që nuk guxon të prekë qeverinë, por i bie përditë opozitës.
Skandalet janë ulur këmbëkryq mbi qeverisjen tuaj:
-430 milionë euro për inceneratorë pa funksion.
-Koncesione të majme shëndetësore që shërbejnë më shumë për xhepat e pak njerëzve.
-PPP rrugësh që kushtojnë më shumë se autostradat europiane.
Por sërish, seleksionime në drejtësinë e premtuar, asnjë ministër nuk prek, sepse zoti Rama mbulon gjithçka.
Premtimi për një drejtësi të pavarur nën qeverisjen e Edi Ramës u shndërrua në farsë të neveritshme. Ministrat e tij, edhe kur u kapën me prova në duar për afera dhe abuzime, nuk prekeshin as nga drejtësia, as nga morali politik.
Fatmir Xhafaj u mbrojt kur Shqipëria dëgjonte përgjimet e të vëllait të tij për trafik droge.
Arben Ahmetaj, simboli i korrupsionit të inceneratorëve, u la të arratisej pa asnjë pengesë.
Damian Gjiknuri, kapur në përgjime për manipulime zgjedhore, u promovua.
Olta Xhaçka, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin, qëndron e mbrojtur nga Rama.
Belinda Balluku dhe Niko Peleshi, përballë skandaleve me tendera dhe abuzime me fonde publike, as që u morën në pyetje.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, drejtësia është një dekor për fasadë, një armë kundër kundërshtarëve dhe një mburojë për të korruptuarit e pushtetit.
Ti nuk e meriton
Nëse shqipria është turistike dhe e mrekullueshme pse shqiptarët largohen nga një vend “turistik dhe i mrekullueshëm”?
Pavarësisht propagandës për një Shqipëri turistike dhe në lulëzim, realiteti për shumicën e qytetarëve është krejt ndryshe.
Shqiptarët po largohen masivisht, sepse nuk ia dalin të sigurojnë jetesën. Vetëm gjatë vitit 2023, mbi 16 mijë shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE-së. Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria ka humbur mbi 700 mijë banorë.
Çmimet e apartamenteve janë ndër më të lartat në Europë në raport me pagat, një apartament në Tiranë kushton mesatarisht 2,200–2,800 euro/m², ndërkohë që paga mesatare është rreth 570 euro në muaj.
Një i ri duhet të punojë 25–30 vjet për një apartament 70 m², pa shpenzuar asgjë tjetër!
Kostoja e jetesës është shumë e lartë, krahasuar me të ardhurat. Ushqimet, shërbimet dhe transporti kanë çmime të krahasueshme me ato të vendeve të BE-së, ndërsa pagat mbeten ndër më të ulëtat në Europë.
Edhe pse turizmi sjell miliona vizitorë çdo vit, përfitimet nuk shpërndahen në popull. Shumë shqiptarë punojnë sezonal, me paga minimale dhe pa kontrata të rregullta.
Në këtë realitet, Shqipëria e bukur për turistët, mbetet e ashpër për qytetarët e saj.
Ti nuk e meriton!
Sepse e ke helmuar jetën publike me përçarje, e ke përbuzur fjalën ndryshe, ke ngritur një regjim komunikimi ku vetëm zëri yt ka vlerë.
Çdo kundërshtar etiketohet, sulmohet, injorohet.
Populli është ndarë në “ne” dhe “ata”, në besnikë dhe armiq.
E megjithatë, populli të voton sërish.
Disa për frikë, disa për interes, disa për nostalgji të një lideri që luan bukur me fjalët, por shumë pak për veprat.
Dhe unë sërish pyes veten:
Po çfarë t’i bëj unë popullit tim?!
Sepse kur një popull zgjedh të qeveriset nga një njeri që i ka bërë çdo padrejtësi të mundshme, problemi nuk është më vetëm te njeriu.
Është te vetëdija që është mpirë, te shpresa që është blerë, te vota që është shitur për një vend pune apo një thes miell.
Ky është ndoshta misioni më i vështirë i çdo shqiptari të ndershëm, të duash popullin tënd, edhe kur ai të çon te i njëjti dështim.
Unë do të vazhdoj të flas.
Sepse nuk mund të pajtohem me idenë që pushteti është më i fortë se e vërteta.
Sepse ndonjëherë edhe populli ka nevojë të zgjohet nga dashuria për gabimin e vet.
Dhe kur ta kuptojë, të jetë ende në kohë.






