GAZETA E LONDRES – Traditë, respekt dhe fitore: shqiptarët në Londër nderojnë Nënë Terezën
Në kuadër të një tradite tashmë 20-vjeçare, në Reigate të Londrës u organizua një aktivitet i veçantë kulturor dhe sportiv në nder të Nënë Terezës (Shën Tereza), në përvjetorin e shpalljes së saj Shenjtore nga Papa Françesku në vitin 2016.
Ky event i rëndësishëm mblodhi së bashku përfaqësues dhe qytetarë nga komuniteti shqiptar, si dhe personalitete lokale. Ndër të ftuarit e nderit ishte edhe Kryetarja e Bashkisë së Reigate dhe Banstead, znj. Melanie Cooper. Prania e saj dhe fjala përshëndetëse që mbajti i dhanë aktivitetit një vlerë të veçantë, duke theksuar frymën e bashkëpunimit, respektit dhe miqësisë midis komunitetit shqiptar dhe atij britanik.
Aktiviteti u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë dhe festive, ku arti dhe sporti u ndërthurën në mënyrë harmonike. Një falënderim i veçantë iu drejtua të gjithë pjesëmarrësve dhe organizatorëve, artistëve dhe sportistëve që kontribuan në realizimin me sukses të këtij eventi.
Një mirënjohje e veçantë shkoi edhe për ekipin anglez të futbollit “Caterham Pumas”, i cili iu bashkua kësaj nisme me shumë sportivitet.
Ndeshja miqësore e zhvilluar midis përfaqësueses së komunitetit shqiptar të zonës dhe skuadrës angleze përfundoi me fitoren e pastër të shqiptarëve me rezultatin 3–0. Megjithatë, përtej rezultatit, ajo që mbizotëroi ishte fryma e fair-play-it, respekti reciprok dhe kënaqësia e pjesëmarrjes.
I gjithë organizimi u realizua në mënyrë profesionale dhe dëshmoi për një komunitet shqiptar të mirëintegruar, aktiv dhe të respektuar në shoqërinë britanike. Aktivitete të tilla jo vetëm që ruajnë dhe promovojnë vlerat kulturore shqiptare, por gjithashtu forcojnë lidhjet me komunitetet e tjera dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
Kjo traditë e bukur pritet të vazhdojë dhe të zgjerohet edhe më tej në vitet e ardhshme, duke sjellë aktivitete gjithnjë e më të pasura dhe me ndikim më të gjerë.





