GAZETA E LONDRES – Tragjedi e rëndë në Zvicër: Dhjetëra të vdekur dhe mbi 100 të plagosur nga zjarri në festën e Vitit të Ri në Crans-Montana
Në festë e Vitit të Ri në resortin alpin të Crans-Montana, në jugperëndim të Zvicrës, është shndërruar në një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në vend, pasi një zjarr i fuqishëm shkaktoi dhjetëra viktima dhe mbi 100 të plagosur, shumica prej tyre të rinj.
Presidenti zviceran Guy Parmelin deklaroi se “një moment gëzimi u shndërrua në një tragjedi që ka prekur thellë të gjithë Zvicrën dhe përtej kufijve të saj”, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me të plagosurit.
Ngjarja ndodhi në një zonë pranë kufirit me Francën në perëndim dhe Italinë në jug, çka ka nxitur reagime të menjëhershme nga autoritetet e vendeve fqinje. Franca dhe Italia janë zotuar të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje të plotë për autoritetet zvicerane.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur “solidaritetin e plotë dhe mbështetjen vëllazërore të Francës” ndaj Zvicrës, ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se po e ndjek situatën nga afër, për të verifikuar nëse ka shtetas italianë mes viktimave apo të plagosurve.
Ministri i Jashtëm i Italisë ka ofruar përdorimin e një njësie të specializuar për trajtimin e djegieve në një spital të Milanos, si dhe mbështetje me personel të shërbimeve të urgjencës nga rajoni fqinj i Luginës së Aostës.
Sipas autoriteteve shëndetësore, më shumë se 100 persona janë transportuar në spitale në të gjithë Zvicrën, ndërsa Spitali Universitar i Lozanës ka marrë përsipër trajtimin e 22 pacientëve.
Drejtoresha e këtij spitali, Claire Charmet, i tha gazetës 24 Heures se shumica e pacientëve janë të moshës 16 deri në 26 vjeç dhe përbëjnë rastet më serioze. Ajo sqaroi se qendra mjekësore e avancuar në Crans-Montana është pastruar nga rastet më kritike, ndërsa pacientët me lëndime më të lehta pritet të transferohen më vonë në Lozanë.
Sipas Charmet, për pacientët më të rëndë, rikuperimi do të jetë “një proces i gjatë dhe intensiv, që mund të zgjasë disa javë, ndoshta edhe muaj”. Ajo theksoi se është ende shumë herët për të përcaktuar gjendjen përfundimtare të disa prej të plagosurve, pasi prioritet ka qenë shpëtimi i jetëve, identifikimi i viktimave dhe njoftimi i familjarëve.
Autoritetet zvicerane kanë nisur hetime të thelluara për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë, ndërsa vendi ndodhet në ditë zie kombëtare. Tragjedia ka tronditur opinionin publik dhe ka sjellë një valë solidariteti ndërkombëtar me popullin zviceran.





