KMA NEWS / Presidenti i Serbisë u shpreh se vendi është i gatshëm të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë, nëse kjo është e nevojshme.
Komentet e bëra prej tij të dielën vijnë pas një lufte fjalësh mes zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë, kur një tren me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, u ndalua të shtunën të hynte në Kosovë.
Presidenti serb Tomislav Nikoliç tha se dy vendet ishin në prag të një konflikti, ndërsa kryeministri i Kosovës u tha gazetarëve se treni “dërgonte një mesazh pushtimi.”
“U kam kërkuar atyre (policisë dhe ministrisë së brendshme) të ndalojnë menjëherë dhe me çdo çmim trenin të hyjë në Kosovë,” i tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi Gazetës Express.
Por Presidenti Nikoliç tha se Kosova tregoi se donte luftë, pasi kishte dislokuar forcat speciale për të mos lejuar trenin e pikturuar me ngjyrat kombëtare të Serbisë të hynte në territorin e saj.
Sipas njoftimeve, zyrtarët serbë akuzuan autoritetet e Kosovës se ishin përpjekur të minonin hekurudhën me bomba.
Zyrtarët e Kosovës i dënuan me forcë akuzat, duke thënë se nuk kishin gjetur eksplozivë në hekurudhë.
Udhëtimi i trenit të shtunën ishte i pari nga Beogradi për në Mitrovicës, që nga lufta e viteve 1998-1999. Sipas njoftimeve, treni u kthye më vonë në Beograd.
Autoritetet në Kosovë bëjnë me dije se nuk kanë lejuar hyrjen në territorin e Kosovës të një treni që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin Kosova është Serbi në 20 gjuhë dhe ikonografi mesjetare.
Treni ishte nisur me gjithë protestën e Prishtinës e cila e vlerësoi synimin për hyrjen e tij në Kosovë si provokim dhe shkelje të sovranitetit të saj.
Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008 ndërsa është vënë në përpjekje për të shtrirë sovranitetin e saj edhe në veriun e banuar me shumicë serbe që është nën ndikimin e Beogradit.
Nisja e trenit, sipas autoriteteve të Beogradit ishte një sprovë me synimin për vendosjen e linjës së rregullt Beograd – Mitrovicë.
Treni sipas autoriteteve serbe është ndaluar në Rashkë një komunë në Serbinë jugperëndimore.
Në orët e mbrëmjes kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se për në Mitrovicë ishte nisur një tren dhe jo një tank.
“Vendimi im ishte, dhe krenohem me të, që ta ndaloj trenin në Rashkë me qëllim të ruajtjes së lirisë së njerëzve tanë dhe të ruaj paqen e të shmang konfliktet”, tha kryeministri serb pas një takimi emergjent me shërbimet serbe të sigurimit.
Ai akuzoi Prishtinë për provokim ndërsa theksoi se është ankuar tek shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe se do të njoftojë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara për siç tha, faktin se Prishtina po luan “lojëra lufte”.
“U bëj thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe vërejtja ime e fundit për shqiptarët dhe edhe lutja për ta në Kosovë është që të mos tentojnë t’i sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në orët e mbrëmjes së të shtunës se ndalimi i hyrjes së trenit ishte vendimi i duhur.
“Unë mendoj se kthimi prapa i këtij treni është veprim i duhur dhe hyrja e trenit në territorin e Republikës së pavarur të Kosovës nuk do të lejohej ose në rast se do të hynte, do të përballej në përputhje me ligjet e Kosovës. Jemi të përkushtuar që të mundësojmë lëvizjen e lirë, por nuk do të lejojmë provokime të tilla. Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe kryeparlamentarin, të angazhohemi për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, tha kryeministri Mustafa në një konferencë me gazetarë.
“Nuk do të lejojmë provokime të tilla që kanë për qëllim kthimin e Kosovës dhe rajonit në vite të errëta dhe me pasoja të paparashikueshme”, tha mes tjerash ai duke nënvizuar se për të gjitha veprimet e sotme institucionet e Kosovës janë këshilluar edhe me misionet diplomatike në Kosovë.
Më herët gjatë ditës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të trenit.
“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren kan udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, shprehu të shtunën shqetësimin lidhur me zhvillimet rreth trenit.
“I brengosur për çështjen e trenit. Bëj thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët. Kemi nevojë për normalizim, e jo për konfrontim”, ka shkruar ambasadori Delawie në rrjetin social Twitter.
Treni serb, që ishtë nisur nga Beogradi me destinacionin e fundit Mitrovicën e veriut u kthye në Beograd. Kështu bën të ditur media serbe Tanjug, sipas së cilës, të gjithë pasagjerët që ndodheshin në këtë tren, i rikthyer në këtë linjë pas 18 vitesh u kthyen aty ku ishin nisur. Sipas Tanjug vendimi për kthimin e tij është marrë nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç.
Presidenti Hashim Thaçi urdhëroi Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, të ndalojnë mjetin të hyjë në territorin e Kosovës. Në veri të Kosovës dolën focat speciale ROSU duke dhënë idenë e rikthimit të luftës.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se treni serb nuk do të futet në Kosovë dhe se kthimi i tij prapa është veprimi i duhur. Mustafa e cilësoi këtë situatë si të panevojshme dhe një lojë të pandershme të Serbisë.





