GAZETA E LONDRES – “Wembley Flet Shqip: Shoqata ‘Mati’ Inauguron Ekipin e Futbollit për Brezin e Ri”
Shoqata Kulturore “Mati” në Londër ka hedhur një hap të rëndësishëm në promovimin e sportit dhe edukimit të brezit të ri shqiptar në diasporë, duke inauguruar ekipin e futbollit për grupmoshat 10–14 vjeç.
Në djepin e futbollit anglez, në Wembley-n legjendar, hodhi rrënjë një iniciativë me vlera të mëdha sportive dhe kombëtare. Për herë të parë nisën stërvitjet e ekipeve zinxhir shqiptare, një projekt që buron nga gjiri i Shoqatës Kulturore “Mati” në Londër dhe që do të drejtohet nga zoti Agron Elezi, njëkohësisht edhe zëdhënës i shtypit i shoqatës.
Ky projekt synon jo vetëm zhvillimin sportiv të fëmijëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe ruajtjen e identitetit, frymës së bashkëpunimit dhe lidhjes së brezave të rinj me kulturën dhe traditat shqiptare. Përmes sportit, fëmijët do të kenë mundësi të edukohen me disiplinë, respekt dhe frymë skuadre, duke krijuar një komunitet më të fortë dhe më të bashkuar.
Në këtë aktivitet me rëndësi të veçantë sportive dhe shoqërore, përveç prindërve dhe qytetarëve të shumtë shqiptarë, morën pjesë edhe presidenti i shoqatës, z. Kujtim Vani, kryetari i shoqatës, z. Hysen Përlesha, si dhe anëtarë të tjerë të bordit drejtues.
Por ajo çfarë e bëri edhe më të veçantën këtë event ishte prania për të cilën shkonë edhe një falënderim dhe respekt i veçantë për pjesëmarrjen që na nderoi jashtëzakonisht shumë: ish-kampionen e madhe seriale të pingpongut shqiptar, zonja Elda Gjoka, e ardhur nga Shqipëria së bashku me kampionen tjetër të njohur, Verona Kola Gjoka. Prania e tyre i dha këtij eventi jo vetëm vlerë sportive, por edhe emocion e frymëzim për brezin e ri.
Akoma më prekëse ishte pjesëmarrja e dy kampioneve të vogla të Anglisë, mbesave të Eldës dhe vajzave të Veronës, Ilda Ili Kola e Rea Ili Kola, të cilat na mbushën të gjithëve me shpresë dhe besim se talenti, pasioni dhe krenaria shqiptare do të vazhdojnë të trashëgohen brez pas brezi.
Skuadra, përveç përgatitjes dhe aktivizimit të talenteve të rinj, pritet të zhvillojë ndeshje dhe aktivitete sportive edhe jashtë Londrës. Një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive parashikohet të zhvillohet në prillin e ardhshëm, kur ekipi do të udhëtojë drejt Burrelit në Shqipëri. Atje, Shoqata Kulturore “Mati” do të organizojë “Kupën Dali Farruku”, në nder të legjendës së futbollit matjan, emri dhe kontributi i të cilit mbeten të paharrueshëm në historinë e sportit shqiptar.
Ky është vetëm fillimi i një rruge të re për të rinjtë shqiptarë në Londër, një rrugë që bashkon sportin, kulturën dhe krenarinë kombëtare nën simbolin e Shoqatës Kulturore “Mati”.
Pas fjalës hapse të aktivitetit nga Kryetari i shoqatës z. Hysen Përlesha i cili falenderoj prindrit dhe futbollistët e vegjël, ja dha fjalën presidentit të shoqatës z. Kujtim Vani, i cili veç rëndësisë së krijimit të ekipit të futbollit, ka folur edhe për projektin e ardhshëm të skuadrës që do të drejtohet nga z. Agron Elezi, i cili edhe ai nga ana e tij falenderoj prindërit, pjesëmarrësit dhe fëmijët për mbështetjen.
Gjithashtu zoti Elezi i ka njohur sportistët e vegjël me rregulloren, disiplinën dhe planin e stërvitjes, si dhe ka cituar bashkëpunimin dhe mbështetjen nga sekretarja për arsimimin z Alma Dika, e cila do të jap kontributin e saj edhe si ish sportiste profesioniste.
Në përfundim u zhvillua edhe ndeshja simbolike mes ekipit të kryesuar nga N/kryetari i shoqatës poetit Kastriot Çupi, të njërës skuadër dhe trajneri e përgjegjësi i ekipit zoti Elezi me grupin tjetër.
Një gjest simbolik por shumë domethëmës ishte edhe dhurata e një futbollisti shqiptar dhe drejtues i një skuadre shqiptare në Angli
zoti Lorenc Përlesha i cili u dhuroj dy topa profesional për ndeshjet e futbollit dhe disa materiale të tjera të nevojshme që i duhen një skuadre futbolli. Kujtojmë se zoti Përlesha pak ditë më parë është nderuar me medalje mirënjohje nga kreu i bashkisë ku jetonë.
Fjala e presidentit të shoqatës Mati z. Kujtim Vani
Të nderuar prindër, të dashur fëmijë, sportdashës, bashkëkombës dhe miq të Shoqatës Kulturore “Mati”,
Sot është një ditë e veçantë për shoqatën tonë dhe për komunitetin shqiptar në Londër. Me shumë krenari dhe emocion inaugurojmë ekipin e futbollit për grupmoshat 10–14 vjeç, një projekt që nuk përfaqëson vetëm sportin, por edhe të ardhmen e fëmijëve tanë dhe forcimin e komunitetit shqiptar në diasporë.
Në zemër të futbollit anglez, këtu në Wembley-n legjendar, po hedhim sot themelet e një iniciative që synon të edukojë, bashkojë dhe frymëzojë brezin e ri shqiptar. Ky ekip lindi nga dëshira jonë për t’u krijuar fëmijëve tanë një hapësirë ku ata jo vetëm të mësojnë futbollin, por edhe të rriten me vlerat më të mira të disiplinës, respektit, bashkëpunimit dhe krenarisë kombëtare.
Shoqata Kulturore “Mati” gjithmonë ka pasur si mision ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare. Sot këtij misioni po i shtojmë edhe sportin, si një urë që afron të rinjtë me njëri-tjetrin dhe i largon ata nga ndikimet negative të kohës.
Dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për zotin Agron Elezi, i cili ka marrë përsipër drejtimin e këtij projekti me shumë përkushtim dhe pasion. Falënderoj gjithashtu të gjithë prindërit për besimin dhe mbështetjen, si dhe anëtarët e bordit drejtues që kanë kontribuar për ta bërë realitet këtë iniciativë.
Ky është vetëm fillimi. Ne synojmë që kjo skuadër të rritet, të zhvillohet dhe të përfaqësojë me dinjitet komunitetin shqiptar në aktivitete sportive brenda dhe jashtë Londrës. Një moment shumë i rëndësishëm do të jetë udhëtimi i planifikuar në Burrel, ku do të organizojmë “Kupën Dali Farruku”, në nder të një legjende të paharruar të futbollit matjan dhe shqiptar.
Të dashur fëmijë,
Sot ju po vishni një fanellë që përfaqëson jo vetëm një ekip futbolli, por edhe familjet tuaja, komunitetin tonë dhe flamurin shqiptar. Luani me zemër, me respekt dhe me krenari, sepse suksesi nuk matet vetëm me fitore, por edhe me karakterin dhe përkushtimin që tregoni në fushë dhe në jetë.
Faleminderit të gjithëve për praninë dhe mbështetjen tuaj. Uroj që ky projekt të jetë një histori suksesi për shumë vite me radhë.
Zoti e bekoftë rininë shqiptare dhe komunitetin tonë në Londër!
Faleminderit!
Foto & Video nga Sokol Elqeni
Galeri foto:





























