SHQIPTARI NEWS – Ambasada amerikane në Beograd tha të martën se drejtësia për tre vëllezërit Bytyçi, shtetas amerikanë, të vrarë në vitin 1999, është përparësi në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë vrasjen e tyre.
Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se “8 korriku është përvjetori i vrasjes së Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyçit. Ndonëse kanë kaluar 21 vjet, ka pasur pak përparim në hetimin e duhur dhe të plotë të vrasjes së këtyre qytetarëve amerikanë pas arrestimit dhe lirimit të tyre në duart e njësive të posaçme të policisë serbe në vitin 1999”.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë vdekjen e tyre dhe as të ndalen së kërkuari drejtësi”, thuhet në komunikatën e ambasadës duke u bërë thirrje autoriteteve serbe që të zgjidhin këtë çështje.
”Vënia e drejtësisë për familjen e vëllezërve Bytyçi mbetet përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë”, thuhet në komunikatë.
Në tetor të vitit 2019 Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.
Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në Serbi në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.





