GAZETA E LONDRES – Arben Bici, Mjeshtër i futbollit dhe fotografisë…!
Nga Mjeshtri i Mikrofonit, Dëfrim Methasani
Nga Burreli në Tiranë, një emër që u gdhend nga fusha e futbollit, por që u afirmua në studiot profesionale të fotografise…!
Përballë ambasadës amerikane në ndërtesën për karshi, syri të kap një emër tashmë shumë të njohur sa i takon studiove fotografike në kryeqytet, “Studio Bici”. Brenda saj në atë studio, përballesh me një njeri që të duket se buzqeshjen e ka vyrtit dhe etiketë që tregon se nga vjen dhe sa vlen. Quhet Arben Bici dhe unë menjeherë kthej kokën pas, duke u rikthyer më shumë se 30-40 vite, për ta kujtuar njërin prej talentëve të futbollit matjan. Pas viteve 1983 unë luaja futboll me “Korabin” në ekipin e të rinjëve dhe na qëllonte të ndesheshim si kundërshtarë në kampionate e kupa, tek fusha e vjetër, rrugës kur shkoje te spitali në qytetin e Burrelit. Une isha qendër mbrojtës, por gjithnjë me hapte punë në dyluftime sulmuesi me nr 11 Bici, lojtari teknik dhe gjahtari i njohur i golave.
Kështu të brishtë dhe nuhatës para porte e mbaj mend djaloshin dibran që tashmë jetonte në Burrel, pasi babai i tij i ndjeri Xhemal Bici, aty kish folenë e pasionit dhe profesionit të tij të fotografit. Kjo njohje më mbeti në kujtesën time afro gjysëm shekullore dhe rikthej kokën pas duke kujtuar Ben Bicin, ish futbollistin që spikati tek “31 Korriku” i atyre viteve të arta të tij, duke arritur të ngjitej dy herë në kategorine e parë e thënë ndryshe në elitën e futbollit të kohës, konkretisht në vitet 1984 dhe 1987. Ai do ta niste karrierën e tij me futbollin 45 vite më parë me paraterinjte e “31 Korrikut me trajnerin Elmaz Osmani. Më pas kalon tek të rinjtë me dy trajnerë që i kujton edhe sot, Dhimtraq Tango dhe Lek Sulku, një emer ky i njohur në futbollin matjan. Falë mjaft elementëve teknik, fizik dhe taktik të shfaqura në fushën e lojës, Ben Bici luan edhe në ekipin e parë te “31 Korrikut” dhe ju gëzua asokohe ngjitjes nga kategoria e dytë në të parën, ku 14 golat e shënuar prej tij, mbeten nje arsenal i një sezoni që bëri historinë e re të futbollit matjan. Bëhet fjalë për sezonin 86-87 kur për herë të dytë “31 Korriku” i atëhershëm u ngjit në të parën. Drejtor i klubit në ato vite ishte Ferit Hysa edhe ky një perzonazh me kontribute në sportin matjan. Ben Bici ndihet krenar që në ato vite luajti përkrah emrave të shquar të ekipit matjan, si Dali Farrukut, Viktor dhe Robert Farricit, Fatmir Rames, Luan Bozhiqit, Selim Çupit, Sinan Bardhit, Agim Sula, Marko Pelinxhit, Kujtim Vatës etj.
Disa nga cilesitë e tij ishin shpejtësia, kërcyeshmëria, përdorimi i të dya këmbëve dhe nuhatja para porte. Arben Bici do të kujtohet edhe si një fans i hollandezëve, veçmas treshes së famshme Van Basten, Rajkard dhe Gulit. Futbollin e vazhdoi për disa vite, por emri dhe fama e tij do të njihte një tjetër kahje, konkretisht si fotograf dhe fotoreporter i njohur në kryeqytet.
Fillimisht Beni ruajti traditën dhe ndoqi rrugën e babait të tij Xhemal Bici, një personalitet i këtij zhanri në Burrel, por më pas, thënë ndryshe 22 vite më pare, ai erdhi në Tiranë dhe tejkaloi parashikimet, duke u afirmuar brenda dhe jashtë vendit. Si gazetar sportiv, me duhet të kujtoj momentet kulminante te kombëtares sonë te futbollit dhe fotografitë emocionuese të tij, duke ndjekur skuadrën kuqezi kudo ku ajo luante.
Përvoja në dy finalet europiane, “Francë 2016” dhe në “Euro 2024, janë dy nga momentet kulminante të karrierës së Arben Bicit si fotoreporter sportiv, por pa harruar edhe ndeshjen e Partizanit me Romën dhe dhjetra e qindra evente sportive dhe jo vetëm, ku shkrepjet e tij kanë fiksuar jo thjesht momente sportive, por shumë histori.
Bici ka qënë pjesë edhe e mjaft ngjarjeve të mëdha kombëtare e ndërkombëtare dhe cilësia e fotografisë, kompozimi, por edhe gjetjet përmes personazheve dhe ngjarjeve i japin atij një dimension tjetër profesional, prej një mjeshtri që i flet fotografia dhe puna e tij artistike. Në mbyllje të këtij profili për mjeshtrin Arben Bici, mund të them se në afro gjashtë dekada jetë, binom me emrin e tij të mirë, kanë qënë puna, suksesi dhe profesionalizmi.







