KMA NEWS / Papajtueshmëria e mandateve
Megjithëse parimi i papajtueshmërisë së mandateve është i shprehur në Statutin e Partisë Socialiste, ai nuk është zbatuar, ose në shumë raste është zbatuar në mënyrë të pamjaftueshme dhe te personalizuar.
Sot, shumica e sekretarëve të Partisë Socialiste janë njëkohësisht edhe anëtarë të qeverisë, çka e bën të pamundur funksionimin e partisë duke e kufizuar vendimarrjen në pak duar.
Papajtueshmëria e mandateve duhet të jetë një normë e panegociueshme, sipas së cilës, dy funksione, me përjashtim të mandatit të kryeministrit dhe kryetarit të partisë, nuk duhet të mbahen nga i njëjti përson. Në këtë mënyrë, do ishte e pamundur dhe e palejueshme që funksionet administrative dhe ato partiake të drejtoheshin nga i njëjti antar i partisë socialiste në çdo nivel, që nga zëvendësministrat, kryetarët e bashkive, kryetarët e qarqeve dhe ministrat, të cilët s’mund të jenë njëkohësisht kryetarë partie bashkish apo sekretarë të partisë socialiste.
Financimet
Partitë shqiptare, përfshi edhe Partinë Socialiste, kanë ngritur shpesh dyshime për mënyrën se si dhe nga financohen, duke krijuar pershtypjen se kosto financiare e partive eshte shume e shtrenjte dhe e paarsyeshme.
Prej më shumë se një dekade, të gjitha raportet ndërkombëtare për zgjedhjet në Shqipëri si dhe rekomandimet që i pasojnë ato, kanë përsëritur detyrimin për transparencë të fondeve dhe donacioneve.
Partia Socialiste e ka të shprehur në Statutin e saj detyrimin që çdo vit kryesia të miratojë buxhetin dhe shpenzimet e saj, çka nuk ka ndodhur në 10 vitet e fundit.
Për të shmangur konfliktet e interesit, financimet e dyshimta si dhe futjen e parave të zeza në veprimtarinë e Partisë Socialiste, është e domosdoshme që në Statut të sanksionohet detyrimi për të refuzuar çdo financim anonim, pra, para që vijnë nga njerëz të cilët nuk duan të identifikohen.
Po ashtu, në Statut duhet të shprehet qartë se çdo donacion privat nuk duhet të kapërcejë në asnjë rast kufirin e 5 për qind të shumës së donacioneve që mblidhen nga antarësia e partisë.
Për të shmangur konfliktin e interesit mbi politikat qeverisëse qëndrore apo lokale, Statuti duhet të përcaktojë qartë se, nuk pranohen donacione nga shoqëri apo subjekte të tjera, aktiviteti privat i të cilave mund të ushtrojë një ndikim dominues mbi administrimin e pronës publike, mbi politikat financiare apo rregullat që disiplinojnë ato.
Partia Socialiste duhet të publikojë rregullisht në faqen e saj zyrtare në internet emrat dhe sasinë e donacioneve, duke krijuar kështu normën e një partie të hapur, transparente dhe demokratike, e cila nuk kërkon pushtet me para por me program dhe ide inovatore.
Partia Socialiste duhet të zgjedhë në Kongres, një Komision të Financave të Partisë, i cili është përgjegjës për kontrollin e donacioneve si dhe për transparencën e tyre periodike një herë në vit.
Ky Komision zgjedh Kryetar njërin prej antarëve të tij, të cilët si rregull janë anëtarë me përvojë në çështje ekzekutive dhe kanë, të paktën, dy mandate përfaqësimi si delegatë të partisë.
Etika e Partisë Socialiste
Për shkak të mungesës së filtrit etik mbi përfaqësuesit e saj si dhe mungesës së kolegjialitetit dhe zgjedhjeve periodike në çdo nivel, para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2013, Partia Socialiste u etiketua nga opinioni publik dhe ai ndërkombëtar, si një parti e cila i hapi dyert për persona të njohur me precedentë penalë dhe rekorde të provuara kriminale.
Ky standart, në zgjedhjen e deputetëve dhe kandidatëve për kryetarë bashkie nxiti Bashkimin Europian dhe SHBA, të kushtëzonte miratimin e një ligji për integritetin e figurave në administratën publike dhe në parlamentin e Shqipërisë.
Megjithatë, ky ligj do kishte qenë i panevojshëm, nëse Partia Socialiste do kishte respektuar normat etike të pastërisë së figurave, çka nuk ka ndodhur, madje e kundërta është kthyer në normë. Personave me precedentë penalë, iu dha statusi i kryetarëve të partisë në shumë zona të Shqipërisë dhe me vonë ata u katapultuan si kryetarë bashkish, këshilltarë dhe deputetë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në Statutin e Partisë Socialiste duhet të përcaktohet qartë, se asnjë njeri me rekorde kriminale nuk lejohet të jetë antar i Partisë Socialiste dhe përfaqësues i saj në çdo nivel të administratës publike dhe parlament.
Partia Socialiste duhet të krijojë një Komitet Etike, të përbërë nga 9 antarë të besueshëm me kartë antarësie të paktën 10 vjeçare, të cilët zgjidhen nga Kongresi çdo katër vjet dhe mbikëqyrin të gjitha devijimet nga normat etike të partisë si dhe formulojnë rekomandime apo propozime të cilat administrohen nga Kongresi i Partisë sa i takon normave statutore.
Komisioni i Etikës ka te drejte te vlerësoje edhe përshtatjen e politikave të partisë me programin elektoral dhe parimet themelore te percaktuara ne Statutin e Partise.
Lista e Antarësisë
Statuti i Partisë Socialiste është i paplotë, sa i takon listës apo rregjistrit të antarësisë. Eshtë e paqartë se sa është në kohë reale lista e antarësisë së Partisë Socialiste.
Ndërkohë që partitë e tjera të majta apo socialiste europiane e kanë të shpallur dhe të hapur listën e tyre të antarësisë, kjo nuk ndodh në rastin e Partisë Socialiste.
Kështu p.sh, Partia Socialiste Franceze ka 60.000 mijë antarë në listën e saj. Partia Laburiste në Britaninë e Madhe, ka sot 388.407 antarë. Partia Demokratike Italiane e ka rregjistrin e antarësisë 385.320 antarë. Partia Socialdemokrate Gjermane SPD, ka në listën e saj të antarësisë 459.902 antarë. Partia Socialdemokrate Suedeze ka të rregjstruar 100.900 antarë. Partia Socialistë Portugeze ka 93.000 antarë.
Partia Socialiste pretendon se, deri në qershor të këtij viti, do ketë 150 000 antarë, çka do ta bënte partinë më të madhe në Europë për frymë popullsie me një proporcion rreth 6 për qind të popullsisë të deklaruar si antarë të një partie të vetme.
Rregjistri i anëtarësisë së Partisë Socialiste është bërë disa herë objekt debati dhe do të vazhdojë të bëhet, nëse Partia Socialiste do ti mbetet parimit një antar një votë, apo nëse do të mbajë referendume.
Në këto kushte, ky rregjistër duhet të jetë i hapur dhe i deklaruar, online në faqen zyrtare të Partisë Socialiste.
Po ashtu, në rast zgjedhjesh brenda partisë, rregjistri i antarësisë duhet të mbyllet të paktën tre muaj përpara datës së zgjedhjeve. Në rastet kur kjo normë shkelet, kandidatëve për forume të ndryshme në Partinë Socialiste u lind e drejta të ankohen në KGS, e cila duhet të ketë fuqi dhe kompetenca për të garantuar paanshmërinë e rregjistrit të antarësisë nga ndërhyrjet e mundshme.
Statuti duhet të përcaktojë dallimin mes zgjedhësit dhe përkrahësit të partisë.
Zgjedhësi pranon të deklarohet publikisht si antar i partisë, ndërsa përkrahësi nuk është detyrimisht i deklaruar publikisht dhe nuk ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje të brendshme të partisë, përvec rasteve të primareve të hapura.
Koncepti i zgjedhësit, pra antari me të drejtë vote që pranon të deklarohet publikisht në rregjistrin online do të transformonte krejtësisht marrëdhënien politike të partive politike me publikun dhe qytetarët.
Ka ardhur koha që shqiptarët dhe vecanërisht socialistët, të binden dhe të besojnë se partitë janë pronë dhe instrument i antarësisë së tyre, në shërbim të interesit publik, mirëqenies dhe demokracisë.
Me besim se paragjykimet nuk janë gjykime,
Ben Blushi





