GAZETA E LONDRES – Ditmir Bushati: Vdekja e Mlladiçit nuk mund të fshijë krimet e luftës dhe përgjegjësitë e Serbisë
Reagimi i ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, pas ceremonisë shtetërore në Serbi për sjelljen e trupit të Ratko Mlladiçit, rikthen në vëmendje një prej plagëve më të rënda të historisë së Ballkanit. Bushati e sheh trajtimin e Mlladiçit jo thjesht si një çështje ceremoniale, por si një tregues të vazhdimësisë së një kulture politike që, sipas tij, ende nuk është shkëputur nga mohimi dhe relativizimi i krimeve të luftës.
Duke iu referuar përgjegjësive të Beogradit për luftërat e viteve ’90, Bushati ngre një pyetje që shkon përtej rastit Mlladiç: A mund të ndërtojë Serbia një të ardhme demokratike dhe europiane pa u përballur me të kaluarën e saj?
Në reagimin e tij, ai paralajmëron se glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe mohimi i gjenocidit nuk mund të trajtohen më si një mosmarrëveshje e zakonshme politike në Ballkan, por si një pengesë serioze për paqen, demokratizimin dhe stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit.
Prononcimi i plotë i Ditmir Bushati
Ceremonia shtetërore për sjelljen e trupit të vdekur të Ratko Mlladiçit në Serbi, tregon se vdekja e tij nuk po trajtohet si ikja nga jeta e një krimineli lufte të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Përkundrazi, vdekja e tij ka nxjerrë në pah edhe njëherë refuzimin e Serbisë për t’u përballur me politikat që çuan në luftërat e viteve ’90, dhe me pasojat e tyre. Në vend që të pranojë përgjegjësitë, Serbia flet për ‘padrejtësi historike ndaj serbëve’.
Është e qartë se kjo qasje politike nuk mori fund me Sllobodan Millosheviçin, e as me vendimet e drejtësisë ndërkombëtare. Serbia nuk mund të ndërtojë një identitet demokratik të qëndrueshëm e as të konsiderohet faktor stabiliteti në rajon pa pranuar përgjegjësië për luftërat e viteve ’90. Ato nuk ishin rezultat i padrejtësive historike, por pasojë e politikave të ndjekura nga Beogradi. Prandaj, demokratizimi dhe europianizimi i Serbisë dhe rajonit kërkon një shkëputje rrënjësore nga ideologjia që justifikon krimet e luftës dhe gjenocidit.
Mlladiç vdiq, ndërsa ideologjia që e shndërroi atë në hero vazhdon të jetojë. Prandaj, pyetja nuk është më se deri ku mund të shkojë mohimi i krimeve të luftës apo glorifikimi i kriminelëve. Pyetja është: Ku është fundi? Dhe një pyetje po aq e rëndësishme duhet t’i drejtohet komunitetit ndërkombëtar: Edhe për sa kohë do të trajtohen glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, si dhe mohimi e relativizimi i gjenocidit, thjesht si një tjetër mosmarrëveshje politike në Ballkan?





