GAZETA E LONDRES – Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, një zgjedhje që meriton mbështetje dhe pritshmëri
Nga një mjeke dhe kardiologe, në drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit
Nga Kujtim Vani
Emërimi i doktoreshë Klodiana Spahiut në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është, sipas meje, një zgjedhje që meriton të vlerësohet me seriozitet dhe pa paragjykime politike.
Shëndetësia është një nga fushat më të ndjeshme të jetës së qytetarëve. Aty nuk ka vend për propagandë, as për llogari politike. Aty flitet për shëndetin, jetën dhe mirëqenien e njerëzve.
Pikërisht për këtë arsye, fakti që në drejtimin e këtij dikasteri vjen një mjeke, kardiologe, pedagoge dhe profesioniste me një përvojë të gjatë në sistemin shëndetësor, është një element që duhet vlerësuar pozitivisht.
Klodiana Spahiu ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1997 dhe është specializuar në Kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”. Më pas ka kryer specializime në Itali, ndër të tjera në kardiologjinë joinvazive pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore – Agostino Gemelli” në Romë dhe në kardiologjinë invazive, kateterizimin dhe koronarografinë në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa. Ka përfunduar gjithashtu masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor dhe mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Përvoja e saj nuk është vetëm akademike. Ajo ka ushtruar profesionin e mjekes kardiologe në QSUT dhe në Spitalin e Durrësit, ku më pas ka drejtuar edhe spitalin. Paralelisht ka zhvilluar një karrierë në pedagogji dhe është angazhuar në politikë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009 dhe ka shërbyer si N/kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Të mos paragjykojmë para se të shohim punën
Ajo që më bën përshtypje këto ditë është se, ende pa hyrë në zyrën e ministres së re, janë ndezur menjëherë “megafonët” politikë.
Disa njerëz janë të gatshëm ta gjykojnë një person jo për atë që mund të bëjë, por për bindjet politike që ata mendojnë se përfaqëson.
Kjo është një mënyrë e gabuar për ta parë një detyrë kaq të rëndësishme.
Klodiana Spahiu duhet të gjykohet për rezultatet që do të arrijë, për mënyrën se si do të përmirësojë shërbimin ndaj pacientit, për kushtet e mjekëve dhe infermierëve, për menaxhimin e sistemit dhe për standardet që do të vendosë.
Nëse do të ketë probleme, le t’i evidentojmë. Nëse do të ketë gabime, le t’i kritikojmë. Por ta paragjykojmë që në ditën e parë, vetëm sepse nuk na pëlqen përkatësia e saj politike, nuk i shërben askujt.
Sidomos nuk i shërben qytetarit.
Një politikane që di të dëgjojë Diasporën
Për mua ka edhe një arsye tjetër përse ky emërim më bën të shpresoj.
Në takimet me shqiptarët jashtë vendit, kam pasur mundësinë të shoh nga afër një tjetër anë të Klodiana Spahiut: mënyrën se si komunikon me Diasporën.
Ajo nuk është kufizuar vetëm te fjalimet dhe përshëndetjet formale. Ka dëgjuar problemet e bashkatdhetarëve dhe ka diskutuar me ta.
Madje, një nga mesazhet e saj që më ka mbetur në mendje ka qenë:
“Kur të vini në Samitet e Diasporës në Tiranë, ngrini këto problemet që keni. Mos ejani të na duartrokisni ne apo këdo që ndodhet në podium.”
Për mua, kjo është një qasje që duhet vlerësuar.
Diaspora nuk ka nevojë të shkojë në Tiranë për të duartrokitur politikanët. Diaspora ka nevojë të flasë, të ngrejë problemet e saj dhe të kërkojë zgjidhje.
Dhe një politikane që u thotë shqiptarëve jashtë vendit “ngrijini problemet tuaja”, tregon të paktën se është e gatshme të dëgjojë edhe atë që nuk është gjithmonë e këndshme për t’u dëgjuar.
Kjo është një karakteristikë që, sipas mendimit tim, e dallon nga shumë politikanë që janë mësuar të flasin më shumë sesa të dëgjojnë.
Një detyrë e vështirë, por edhe një mundësi e madhe
Klodiana Spahiu merr përsipër një nga detyrat më të vështira të qeverisjes.
Sistemi shëndetësor shqiptar ka probleme të shumta dhe pritshmëritë e qytetarëve janë të mëdha.
Njerëzit duan spitale më moderne, shërbim më cilësor, më pak burokraci, më shumë dinjitet për pacientin, kushte më të mira për mjekët dhe infermierët dhe një sistem që të afrohet gjithnjë e më shumë me standardet europiane.
Kjo nuk arrihet me deklarata.
Kërkon punë, menaxhim, reforma dhe mbi të gjitha vullnet për të dëgjuar profesionistët dhe qytetarët.
Dhe pikërisht këtu do të jetë prova e doktoreshë Spahiut.
Ajo ka formimin profesional për ta kuptuar sistemin nga brenda. Tani i mbetet të tregojë nëse këtë përvojë do të mund ta kthejë në rezultate konkrete.
Urimi i Diasporës
Nga Gazeta e Londrës dhe në emër të shumë shqiptarëve të Diasporës që e kanë ndjekur dhe e kanë njohur nga afër, i urojmë doktoreshë Klodiana Spahiut sukses në detyrën e re.
Nuk i japim një çek të bardhë askujt.
Por as nuk kemi arsye të paragjykojmë një profesioniste përpara se të ketë mundësinë të tregojë se çfarë mund të bëjë.
Le ta gjykojmë nga puna.
Shëndetësia shqiptare ka nevojë për profesionistë, për vizion, për standarde europiane dhe për një administrim më njerëzor.
Nëse Klodiana Spahiu arrin të sjellë në institucionin që drejton përvojën e saj si mjeke, akademike dhe menaxhere, atëherë ky emërim mund të rezultojë një zgjedhje e rëndësishme për sistemin shëndetësor shqiptar.
Diaspora e uron për detyrën e re dhe i dëshiron suksese.
Sepse në fund të fundit, përtej çdo bindjeje politike, kur bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve, të gjithë kemi të njëjtin interes: një shëndetësi më të mirë.





