Urugani Patricia, e konsideruar një nga stuhitë më të forta të shekullit, goditi brigjet e Meksikës dhe rrezikon të shkaktojë dëme katastrofike.
Skuadrat e emergjencës kanë filluar evakuimin e mijëra banorëve nga shtëpitë e tyre dhe nga resortet bregdetare.
Me një shpejtësi prej 266 kilometër në orë, uragani i kategorisë së pestë ka ngritur alarmin në pjesën perëndimore të Meksikës, duke përfshirë edhe atë që cilësohet si qyteti i resorteve, Puerto Vallartën.
Sipas zëdhëneses për shtyp të Shërbimit Meteorologjik meksikan, uragani Patricia ka goditur zonën e Punta Perulas mes Puerto Vallartës dhe portit më të madh të mallrave Manzanillo.
Ekspertët amerikanë theksuan se Patricia është urgani më i fortë i regjistruar deri më tani në hemisferën perëndimore, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Meteorologjisë e krahasoi me tajfunin Hajan, i cili i mori jetën 7300 personave në ishujt Filipine gjatë vitit 2013.
Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, deklaroi se është e vështirë të parashikohet se sa i madh do të jetë niveli i dëmeve që mund të shkaktojë ky uragan, ndërkohë që zyrtarët amerikanë dhe meksikanë u shprehën se pritet që dëmet të jenë katastrofike.
Robert Raimrez, kreu i agjencisë federale të ujit në Meksikë pohoi se fuqia e Patricias është aq e madhe saqë mund të mbërrijë nga gjiri i Meksikës deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, Qendra Kombëtare e Uraganëve në SHBA deklaroi se Patricia do të fillojë të humbasë potencën, në momentin kur do godasë zonën malore në perëndim të Meksikës.
Uragani më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në botë është cikloni Tip, i cili goditi Japoninë në vitin 1979.





