KMA NEWS / Edhe pse vendimi i Presidentit Gjogje Ivanov e ka plotësuar kërkesën e protestuesve maqedonas, për të mos ia dhënë Zoran Zaevit mandatin për kryeministër, për shkak të platformës shqiptare, mijëra maqedonas sërish sonte kanë protestuar kundër zyrtarizmit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Siç raporton Alsat-M, protestuesit u mblodhën para godinës së Qeverisë për të vazhduar marshin drejtë Kuvendit, ku edhe përfundoi protesta pa ndonjë incident. Protestuesit u drejtuan për të protestuar para selisë së LSDM-së, por u ndaluan nga kordoni policor. Jo zyrtarisht mendohet se në protestën e sotme, e cila u shoqërua me shumë fyerje dhe ofendime ndaj shqiptarëve si dhe partive politike të cilat negociuan në realizmin e platformës së përbashkët shqiptare, morën pjesë rreth 6 mijë protestues. Ajo që spikati në protestë mes tjerash ishte momenti kur presidenti Ivanov u deklarua si hero i Maqedonisë nga protestuesit pas vendimit të tij. Edhe pse nga VMRO vazhdimisht mohojnë zërat se ato qëndrojnë pas protestave, kamera e Alsat-M ka kapur pamje të zyrtarëve të lartë të kësaj partie në mesin e protestuesve.
Udhëheqësi i Partisë Social-Demokrate – LSDM – Zoran Zaev e akuzoi të mërkurën në mbrëmje Presidentin Gjorgje Ivanov se po bën grusht shteti dhe po e fut vendin në një krizë më të thellë, pasi ai refuzoi t’i japë mandatin për themelimin e qeverisë.
“Ivanov nuk e respekton vullnetin e qytetarëve dhe ligjvënësve dhe po pengon transferimin ligjor dhe legjitim të pushtetit”, tha zoti Zaev.
Presidenti Ivanov e akuzoi zotin Zaev për veprime që “cenojnë karakterin unitar të Maqedonisë” dhe se arsyeja për këtë vendim ishte platforma e partive politike shqiptare e cila ishte hartuar sipas tij në “shtetin fqinj”.
“Deri sa të jem president i Maqedonisë nuk do të mandatoj askënd që pranon platforma të shteteve fqinje që rrënojnë sovranitetin e shtetit”, tha presidenti Ivanov. Ai e akuzoi kryetarin e Lidhjes Social-Demokrate për shkelje të Kushtetutës dhe të interesave kombëtare.
“Maqedonia është gjithçka që kemi dhe nuk kemi të drejtë historike për të shkatërruar atë për të cilën brezat e mëhershëm kanë luftuar”, tha ai.
Ai tha se nuk pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu siç “ndërkombëtarët nuk reaguan për platformën shqiptare, të hartuar sipas tij në një shtet fqinj”.
Presidenti Ivanov dhe partia VMRO-DPMNE kishin akuzuar Tiranën për hartimin platformës së partive politike shqiptare në Maqedoni.
Në reagimin e tij, zoti Zaev theksoi se LSDM nuk do të lejojë që dikush “të luajë me shtetin për interesa të caktuara politike”, ndërkohë që i bëri thirrje presidentit maqedonas që ta tërheqë vendimin dhe ta japë mandatin për formimin e qeverisë.
Zoti Zaev pati të mërkuren një takim me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, por nuk janë dhënë hollësi nga takimi. Zaev tha se me zotin Ahmeti duhej të bisedonte mbi ndarjen e posteve qeveritare por pas vendimit të presidentit, nuk ishte folur mbi këtë.
Ai bëri të ditur se do të shikohen hapat e mëtejshme dhe me ndihmën e ekspertëve ligjorë do të merren vendime. Ai u bëri thirrje mbështetësve të partisë së tij dhe të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe “të mos bien pré e provokimeve”, siç tha.
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate i dorëzoi të hënën më 27 shkurt presidentit Gjorgje Ivanov 67 nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvizjes Besa dhe Aleancës për shqiptarët, si garanci e krijimit të shumicës parlamentare për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.
Pjesë e marrëveshjes ishte propozimi i hartuar nga partitë shqiptare për përdorimin e gjuhës shqipe në shkallë vendi, gjë që nxiti reagime të VMRO-DPMNE-së e cila dështoi të sigurojë mbështetjen për themelimin e qeverisë.
Mbështetësit e kësaj partie u hodhën ne protesta në Shkup kundër asaj që e quajnë federalizim të Maqedonisë, duke kundërshtuar zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe.





