KMA NEWS / Italiani Antonio Tajani është presidenti i ri i Parlamenti Evropian, duke zëvendësuar gjermanin Martin Schulz. Politikani konservator italian është zgjedhur me 351 vota pro në zgjedhjet e zhvilluara në Strasburg.
Tajani, 63-vjeçar, ka qenë me profesion gazetar si dhe ish-zëdhënës i ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, dhe ish-komisioner i Bashkimit Evropian.
Tajani ka përfunduar studimet për drejtësi në universitetin La Sapienza në Romë. Për shumë vite ai ka punuar si gazetar profesionist. Ka qenë redaktor i çështjeve parlamentare në të gazetën italiane “Il Settimanale”, prezantues i programeve informative në “Rai Radio 1” dhe në krye të bordit editorial në gazetën “Il Giornale”. Tajani ka qenë reporter i dërguar special në Liban, Bashkimin Sovjetik gjatë viteve ’80 dhe në Somali.
Rivali i tij në këto zgjedhje ishte italiani tjetër, kandidati socialist Gianni Pitella i cili mori 282 vota.
Presidenti i ri i PE-së ja dedikoi fitoren viktimave të tërmetit që goditi Italinë qendrore vitin e kaluar. Parlamenti Evropian ka fuqinë të bllokojë apo të ndryshojë ligjet e BE-së, dhe do të vendosë për aprovimin ose jo të një marrëveshjeje me Britaninë për të ashtuquajturin ‘Brexit’.
Eurodeputetët e zgjodhën demokristianin pas disa orësh maratone votimi në Strasburg, në raundin e katërt, me 351 vota pro nga 633 votat e vlefshme.
Presidenti në largim Martin Schulz (SPD) i uroi pasardhësit të tij “gjithë të mirat, dhe sukses.” Schulz, i cili është nga viti 2012 Presidenti i Parlamentit Evropian, kishte njoftuar në muajin dhjetor se nuk do të kandidonte përsëri.
Urime nga Gjermania
Ndër të parët që e uruan Tajanin ishte ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier (SPD). Parlamenti Evropian është një “lojtar vendimtar në Evropë, kur bëhet fjalë për të bërë punë bindëse për vlerën e projektit tonë evropian dhe për t’iu kundërvënë populistëve dhe ekstremistëve”, tha Steinmeier. Tajani ka të gjitha parakushtet për të udhëhequr Parlamentin në kohë të vështira. Njëkohësisht Steinmeieri vlerësoi punën e Martini Schulz-it.
Hare e gëzim në Itali
Zgjedhja e Antonio Tajanit u prit me gëzim të madh në Itali. Tajani është bashkëthemelues i partisë konservatore italiane “Forza Italia” dhe ka qenë zëdhënës i ish-kryeministrit Silvio Berluskoni.
Berluskoni tha se zgjedhja e tij e mbush atë si italian dhe kryetar i partisë Forza Italia me “krenari dhe gëzim”. Kryeministri Paolo Gentiloni shkroi në Twiter: “Për herë të parë një italianë si President i Parlamentit Evropian. Urime për Antonio Tajanin.” Kurse ministri i Jashtëm Angelino Alfano shkroi në Twitter “Nlë lajm i madh për Italinë dhe popullin evropian”.
23 vjet përvojë në Parlamentin Evropian
Avokati dhe gazetari Tajani u zgjodh në vitin 1994 për herë të parë në Parlamentin Evropian. Nga viti 2008 deri 2014 ai ishte anëtar i Komisionit të BE-së përgjegjës fillimisht për transportin dhe më tej për industrinë.
Që nga zgjedhjet evropiane të vitit 2014 Tajani ishte nënkryetar i Parlamentit. Në këtë funksion ai ishte edhe përgjegjës për komunikimin e rregullt të institucioneve të BE-së me bashkësitë fetare dhe kishat. “Ne duhet të forcojmë dialogun mes feve në nivel evropian”, tha Tajani pas zgjedhjes për agjencinë katolike të lajmeve (KNA). “Fetë nuk janë rrënja e konfliktit, por mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje për paqen,” – tha më tej ai.
Presidentin e ri të PE, Antonio Tajani e ka uruar edhe kryeparlamentari, Ilir Meta
Kryetari i Kuvendit te Shqiperisë Ilir Meta uron Presidentin e ri te Parlamentit Evropian, Antonio Tajani. Meta në mesazhin e tij te urimit drejtuar z. Tajani shprehet se zgjedhja e tij ne krye te Parlamentit Evropian do te kontribuoje ne avancimin e perspektives evropiane te Shqiperise dhe rajonit tone si dhe shprehu bindjen e plote per forcimin e bashkepunimit mes Kuvendit te Shqiperise dhe Parlamentit Evropian.
Kryetari i Kuvendit Meta e ka ftuar njekohesisht Presidentin e ri Tajani per nje vizite zyrtare ne Tirane.
Meposhte teksti i plote i letres:
LETER URIMI
Drejtuar:
Sh.T.Z. Antonio TAJANI
President i Parlamentit Evropian
BRUKSEL
I nderuar Shkelqesi,
Me kënaqësi të veçantë mirëpritëm zgjedhjen Tuaj në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian dhe me këtë rast më lejoni në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta për detyrën e re fisnike që ndërmerrni.
Shpreh bindjen e plotë se me eksperiencën e gjerë që gëzoni në institucione të rëndësishme të Bashkimit Evropian, do të kontribuoni në forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit, si një nevojshmëri gjeo-politike evropiane, ndaj dëshiroj të rikonfirmoj vullnetin tonë të plotë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian.
Kam patur kënaqësinë të takohemi së bashku në të kaluarën dhe shpresoj të rishihemi së shpejti, ndaj përfitoj nga rasti t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Shqipëri ku do të kemi mundësi të diskutojmë nga afër rreth bashkëpunimit tonë në të ardhmen.
Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të mira për një veprimtari Tuajën plot përgjegjësi dhe suksese, lutem pranoni, i nderuar President, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.
Ilir META







