GAZETA E LONDRES – Kaos dhe përplasje në Kuvend, opozita zaptuan karriget e ministrave dhe ndezën flakadanë
Seanca e fundit plenare e Kuvendit për këtë sesion u shoqërua me kaos, përplasje fizike dhe përdorim flakadanësh, pasi deputetët e Partisë Demokratike zaptuan karriget e ministrave duke penguar nisjen e seancës. Protesta u zhvillua për tre çështje:
betimin e Endri Shabanit si Avokat i Popullit,
dosjen e AKSHI-t,
dhe çështjen e Belinda Ballukut.
Situata degradoi në përplasje mes deputetëve opozitarë dhe Gardës së Republikës, hedhje uji, shishe, kartona votimi e mikrofonë drejt ministrave dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Flamur Noka dhe Klevis Balliu u përjashtuan nga seanca, ndërsa disa deputetë opozitarë ndezën flakadanë.
Megjithë kaosin, Avokati i ri i Popullit bëri betimin, ndërsa mazhoranca miratoi të gjitha projektligjet vetëm me votat e saj.
Kaos dhe përplasje në Kuvend, opozita zaptuan karriget e ministrave dhe ndezën flakadanë
Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua sot në arenë përplasjesh fizike dhe kaosi, duke pamundësuar nisjen normale të seancës plenare të fundit për këtë sesion parlamentar. Deputetët e Partisë Demokratike hynë në sallë para nisjes zyrtare të punimeve dhe zaptuan karriget e ministrave, në shenjë proteste për betimin e Endri Shabanit si Avokat i Popullit, dosjen e AKSHI-t dhe çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Situata u tensionua menjëherë, teksa deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu kapërcyen tavolinat dhe u përplasën fizikisht me Gardën e Republikës, e cila ndërhyri për t’i larguar nga vendet e kabinetit qeveritar. Pamjet filmike treguan momentin kur Balliu tentoi të hipte mbi tavolinë për të kaluar në radhën e ministrave, por u ndalua nga gardistët.
Përplasjet vijuan për rreth 60 minuta, ndërsa një pjesë e opozitës ishte pozicionuar në foltore duke sulmuar verbalisht ministrat dhe mazhorancën. Deputetët opozitarë kërkuan në kor llogari për çështjen Balluku dhe akuzuan qeverinë se po mbron Ergys Agasin, i shpallur në kërkim në lidhje me hetimet e AKSHI-t.
Seanca plenare nisi me vonesë, por tensionet u përshkallëzuan edhe më tej, kur deputetët demokratë ndezën flakadanë në sallë. Belind Këlliçi, Albana Vokshi dhe Fidel Kreka ishin mes deputetëve që përdorën mjete piroteknike, ndërsa drejt ministrave dhe kryetarit të Kuvendit u hodhën ujë, shishe plastike, kartona votimi dhe mikrofonë të shkulur nga vendi.
Gjatë përplasjes, deputeti Flamur Noka hodhi ujë në drejtim të komandantit të Gardës së Republikës, duke shkaktuar një tjetër moment tensioni, që u neutralizua pas ndërhyrjes së gardistëve të tjerë. Noka dhe Klevis Balliu u përjashtuan nga seanca me vendim të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Pavarësisht kaosit, Endri Shabani u betua si Avokat i ri i Popullit, ndërsa mazhoranca kaloi direkt në votim dhe miratoi të gjitha projektligjet e ditës vetëm me votat e saj. Deputetët e Partisë së Lirisë dhe Partisë Mundësia nuk iu bashkuan protestës.
Pas përfundimit të seancës, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ironizoi opozitën, duke deklaruar se “sa herë që Kosova ka një festë, Sali Berisha i bën një dëm Shqipërisë”.
Ndërkohë, opozita u mblodh në selinë e Partisë Demokratike, ku po diskutohet zhvillimi i një seance të jashtëzakonshme për çështjen Belinda Balluku, si dhe mbledhja e firmave për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.





