KMA NEWS / Ka përfunduar nëorën 12.00 pa incidente protesta e Opozitës. Me himnin kombëtar, është mbyllur paqësisht protesta e PD-së e cila për 1 orë bllokoi lëvizjen e automjeteve në akset kryesore të vendit.
Opozita bllokoi sot për 60 minuta pesë akse rrugore kombëtare, nga ora 11.00 deri në mesditë, si pjesë e protestës së saj e cila vazhdon prej më shumë se dy muajsh për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie teknike e cila sipas saj do të duhet të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Mbështetës të opozitës ju bashkuan asaj në bllokimin e dy akseve kryesore rrugore në jug të vendit, në zonën e Fierit, dhe në Veri, në zonën e Milotit, si dhe tre hyrjeve kryesore në kryeqytet. Në njërën prej tyre, me protestuesit u bashkua edhe kryetari demokrat Lulzim Basha.
Policia shqiptare nuk kishte dhënë leje për bllokimin e rrugëve duke paralajmëruar ndëshkimin e organizatorëve dhe pjesmarrësve. Megjithatë ajo nuk ndërhyri, duke ndjekur në distancë protestuesit. Gjithshka u zhvillua paqësisht dhe pa asnjë incident.
“Shqiptarët u bashkuan sot në këtë akt demokratik, i cili dëshmon vendosmërinë tonë për të mos ja dorëzuar Shqipërinë krimit dhe drogës, por për të qenë të bashkuar për zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri teknike”, deklaroi në përfundim të protestës zoti Basha duke shtuar se “ky është një paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore dhe këtij bashkimi është e pathyeshme”.
Forma e sotme e protestës paraprin mbërritjen e pritur pasdite në Tiranë të një misioni të parlamentit europian, i përbërë nga Davdi McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme, dhe relatori për Shqipërinë Knut Fleckenstein. Të dy eurodeputetët do të tentojnë ndërmjetësimin e një zgjidhjeje të krizës politikës. Opozita ka bojkotuar parlamentin, duke bllokuar për pasojë dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa nuk është rregistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Afati ka kaluar që prej 10 prillit.
Basha: S’heqim dore nga qeveria teknike
Basha: Zonja dhe zotërinj të rinj dhe të reja, qytetarë të lirë të republikës së re që po afron, qindra mijëra shqiptare i janë bashkuar sot në paqe dhe me kulturën më të thellë kombëtare dhe europiane në këtë akt patriotik që dëshmon vendosmërinë tonë për të mos e dorëzuar Shqipërinë krimit dhe drogës por të bashkohemi siç jemi bashkuar qindra mijëra shqiptarë, miliona shqiptarë nga jugu në veri për zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që do të largojë kriminelët nga institucionet sipas ligjit të dekriminalizimit. Që do të luftojë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme përfshi votimin biometrik, elektronik dhe dhe numërimin elektronik të votës dhe votimin e zbatimin menjëherë të vettingut dhe reofrmës në drejtësi sipas kushtetutës dhe marrëveshjes së 21 korrikut. Zoti i bekoftë shqiptarët për këtë qendrës. Ku është një paralajmërin se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ju ftoj ta përmbyllim këtë proteste në paqe pa asnjë provokim dhe pa iu përgjigjur asnjë provokimi.






