KMA NEWS / Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi votoi unanimisht në parim Reformën në Drejtësi. Sipas nënkryetarit të Komisionit, Eduart Halimi vota pro ka qënë për votimin nen për nen të Reformën në Komision. Por sipas tij ngërçi për disa pika nuk quhet ende i tejkaluar. Përveç faktit që nuk është dakord me kufizimet kohore që paraqiten në draft, mësohet se opozita sheh si të plotësuara disa nga kërkesat e saj, që zbehin ndikimin dhe kapjen politike të sistemit të drejtësisë, apo që rrezikojnë funksionimin e institucioneve të reja.
Një prej çështjeve politike ende të pazgjidhura është ajo se, me çfarë shumice zgjidhen disa prej anëtarëve në institucionet e reja kyçe, që krijohen në sistemin e drejtësisë.
SHBA: Përgëzojmë komisionin për kalimin e reformës në parim
Ambasada e SHBA-ve ka reaguar sot pas miratimi në parim të reformës në drejtësi. Në një deklaratë për mediat, Ambasada thekson se “Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme”.
Njoftimi i plotë i Ambasadës
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi për të pranuar në parim draftin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese, të përgatitur sipas rekomanimeve të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme.
Mbështetja unanime është e pazakontë në Shqipëri dhe ne e përgëzojmë Komisionin e Posaçëm për këtë hap të rëndësishëm përpara në reformën në drejtësi”.





