KMA NEWS / Arrestimi i Emiljano Shullazit nuk ka përplasur vetëm policinë e shtetit me prokurorinë. Rrethi i pakënaqësive ka prekur edhe mazhorancën, në nivelet më të larta të qeverisjes. Kryeministri Rama e sulmoi ashpër prokurorinë në parlament, 5 ditë pasi Shullazit i ishte prerë fletë-arresti.
“Ndalimi është bërë nga policia pa denoncim. Ka kërkuar nga prokuroria autorizim për arrestim dhe e ka marrë autorizimin pas mesnate. Policia ka kërkuar autorizimin nga prokuroria për të vendosur në përgjim, në ndjekje e të gjitha me rradhë këtë pesonazh dhe nuk e ka marrë”, deklaronte kryeministri të enjten e 21 prillit.
Opozita tha se sulmi i Ramës ndaj prokurorisë ishte i lidhur me shqetësimin e tij për arrestimin e kreut të bandës kriminale, që sipas PD, ai e përdorte për presione e shantazhe. LSI qëndroi e distancuar përballë përplasjes PD – PS.
Por një muaj më vonë Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, atyre që flasin për histori të tilla me, “njëri i kap e tjetri i lëshon”, u kujton se për fatet e një çështje penale është vetëm prokurori ai që vendos.
“Është prokurori që vendos për fatet e çështjes penale, të gjithë të tjerët janë në shërbim të prokurorit. Të jetë e qartë për çdokënd, që mos nxisin më histori të tilla, që njëri i kap tjetri i lëshon. Përballë krimit të organizuar, ne kërkojmë një shtet të organizuar”, u tha Manjani prokurorëve duke folur në krah të kryeprokurorit Llalla, në një takim në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u përpoq në seancën e 21 prillit ta korrigjonte shefin e tij. Si rrallë ndonjëherë ai nuk e kritikoi prokurorinë, ndonëse fjala e tij në parlament mbante brenda edhe dyshimet për veprimet e organit të akuzës.
“Në qoftë se doni të shikoni se çfarë ka bërë policia, në qoftë se doni të shikoni nëse ka vepruar policia apo jo. Në qoftë se doni të shikoni nëse ka vepruar apo nuk ka vepruar prokuroria, bujrum, ngrini komision hetimor që sot në parlament. Kryeministri bëri një lapsus kur tha që prokuroria nuk ka pranuar kërkesën e policisë për përgjim. Ky ishte një lapsus”, tha ai.
Por kryeministri nuk u pa më të distancohej nga sulmi që ndërmori pa arsye ndaj prokurorisë, e cila kishte lëshuar fletë – arrestin për Emiljano Shullazin, pas një përplajse të fortë me policinë.
Shullazi u ndalua mbrëmjen e 17 prillit, pasi ish –kryeministri Sali Berisha e akuzoi për kërcënim të kandidatit për rektor të UT, Mynir Koni dhe rektorit në largim Dhori Kule, për t’i detyruar të tërhiqen nga gara. Ai u shoqërua në polici në orën 21 për t’u marrë në pyetje dhe do të lihej i lirë pasi kishte dekruar se nuk i njihte Konin e Kulen. Edhe dy të kërcënuarit kishin thënë se nuk e njihnin kërcënuesin.
Opozita tha se Shullazi kishte marrë garanci nga vetë Tahiri se do të ishte një shoqërim rutinë e do të lihej i lirë. Por prokuroria e ndryshoi këtë skenar. Ajo urdhëroi mbajtjen e Shullazit në burg, pasi nga hetimet që po kryente ndaj tij prej disa muajsh, ai dyshohej për disa vepra penale, përshirë edhe vendosje e gjobave ndaj disa biznesmenëve.
Disa burime thanë për lapsi.al në atë kohë se policia kishte refuzuar ta arrestonte Shullazin. Për këtë arsye kryeprokurori Llalla thirri në një takim urgjent Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki çako, drejtorin e policisë së Tiranës Ervin Hodaj, kreun e prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha e atë të krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.
Vetëm pas këtij takimi që zgjati mbi një orë dhe përfundoi rreth mesnatës dhe insistimit të krerëve të prokurorisë, Shullazit iu komunikua urdhër – ndalimi. Madje, sipas opozitës, komunikimi i është bërë 1 orë e gjysmë më vonë pasi urdhëri i kishte mbërritur policisë së Tiranës.
Të gjendur përballë kësaj situate dhe pas deklaratave të opozitës se Shullazi u ndalua vetëm pas presionit të ambasadorit të SHBA, Tahiri e Rama nisën menjëherë sulmet. Për t’u distancuar nga këto akuza, Rama sulmoi në mënyrë të paprecedent prokurorinë se nuk ka vepruar edhe kur i është kërkuar nga policia.
Këtë deklaratë të Ramës, LSI edhe pse e distancuar nga debati, nuk ka mundur ta anashkalojë dhe as të përtypë përpjekjen e mëvonshme të Tahirit për të rregulluar gafën e kryeministrit duke quajtur atë si “lapsus”.
Deklarata e sotme e Ministrit të Drejtësisë është përgjigjja më e mirë për pretendimet e Ramës se ishte policia ajo që kishte marrë iniciativën për të ndaluar Shullazin.
Disa ditë pas debatit në parlament, Ylli Manjani e thumboi fort policinë edhe për korrupsionin. Ai u bëri thirrje qytetarëve që për çdo rast korruptiv t’i drejtohen zyrës së prokurorit, duke e anashkaluar në këtë mënyrë policinë e shtetit. /Lapsi.al





