Policia britanike identifikon dy autorë të sulmeve të së shtunës në Londër

KMA NEWS / Policia britanike njoftoi të hënën emrat e dy prej tre personave, të cilët ndërmorën sulmet në qendër të Londrës me furgon dhe me thikë, duke lënë shtatë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Policia kërkoi gjithashtu ndihmën e publikut për të mësuar më shumë rreth lëvizjeve të personave në ditët para sulmeve.

Khuram Shazad Butt ishte shtetas britanik 27-vjeçar i lindur në Pakistan dhe i njohur nga autoritetet, sipas një deklarate të lëshuar nga policia e Londrës.

Rachid Redouane, i cili kishte pohuar se ishte maroken dhe libian ishte i panjohur për policinë deri natën në të cilën të dy ata u vranë së bashku me një person të tretë që nuk është identifikuar, sipas autoriteteve.

Dhjetë persona të tjerë, që u arrestuan në lagjen lindore Barking të Londrës, vazhdojnë të jenë në paraburgim.

Sulmi i ndërmarrë të shtunën mbrëma nga tre personat në zonën e Urës së Londrës është vënë në qendër të debateve, në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, duke e përqendruar vëmendjen tek roli i Kryeministres Theresa May në reduktimin e radhëve të policisë.

Kreu i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn tha se ai i mbështeti ata që bënin thirrje që zonja May të jepte dorëheqjen për shkak të rolit të saj në reduktimin e personelit të policisë gjatë kohës që ishte sekretare e brendshme. Ai tha megjithatë se mënyra më e mirë është për ta rrëzuar zonjën May me anë të votës.

Zonja May, nën trysni për shkak të tre sulmeve të mëdha në Britani në tre muajt e fundit, tha se Corbyn nuk është i aftë të garantojë sigurinë e vendit në një kohë kur kërcënimet janë rritur.

Grupi Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin që filloi tek Ura e Londrës dhe pastaj vazhdoi në rrugët pranë zonës Borough Market.

Shumica e stacioneve të metrosë në Londër janë rihapur në lagjen ku ndodhi sulmi, duke lejuar normalizimin e jetës dhe biznesit pas më shumë se 24 orë bllokimi. Disa banorë të ngujuar gjatë gjithë ditës, të dielën dolën nga shtëpitë e tyre për herë të parë pas sulmeve.

BRITANIA PËRBALLË TERRORIZMIT

Në Britani janë forcuar thirrjet për një rishikim të sistemit ligjor në një kohë kur vendi është përballur me tre sulme brenda tre muajsh, më i fundit dy ditë më parë. Ngjarjet kanë shkaktuar ankth tek komunitetet e mëdha myslimane të Londrës të frikësuar se kjo do të ulë shkallën e lirive të tyre dhe do të nxisë intolerancën.

Londra e rimori veten dhe ka nisur të shohë përpara, por udhëheqësit britanikë po e bëjnë të qartë se, pas kaq shumë sulmesh terroriste brenda një kohe të shkurtër, gjërat nuk mund të vazhdojnë siç janë.

“Duhet të jemi të sinqertë, në vendin tonë është treguar shumë tolerancë ndaj ekstremizmit. Ndaj duhet të bëhemi shumë më të fuqishëm në identifikimin dhe dhënien fund të tij në të gjithë shoqërinë. Kjo do të kërkojë zhvillimin e një dialogu të vështirë dhe shpesh të sikletshëm, por i gjithë vendi ynë duhet të bashkohet të luftojë ekstremizmin. Kemi nevojë të jetojmë jo të ndarë, por të bashkuar”, tha kryeministrja britanike Theresa May.

Por bashkimi, duket të jetë më i lehtë të thuhet se sa të arrihet, në një kohë kur vendi gjithnjë e më shumë ndjehet i rrezikuar. Ekziston frika e rritjes së përçarjeve mes myslimanëve dhe jo myslimanëve, por edhe mes vetë myslimanëve.

“Unë jam londinez. Jam rritur në Londër. Ajo që ndodhi ishte shkatërruese. Nuk ishte vetëm sulm ndaj atyre njerëzve, por një sulm edhe ndaj meje, si mysliman. Po përpiqen të na ndajnë”, thotë imami Zishan Ahmad.

Tashmë në Britani po shihen mundësitë për më shumë mbikëqyrje të internetit, ndryshime në ligjet e paraburgimit si dhe zgjatjen në kohë të dënimeve për veprat penale të lidhura me terrorizmin. Por për disa njerëz, pyetjet që shtrohen janë më të mëdha.

“Disa njerëz janë të frikësuar nga pasojat dhe se çfarë mund të ndodhë, por nga ajo që unë kuptoj nuk është aspak e tillë. Ka të bëjë me pyetjen se ku po shkojmë si shoqëri?”, thotë Farah Egal aktivist

Në lindje të qytetit ku jeton një komunitet i madh mysliman dhe kanë shtëpitë disa prej autorëve të sulmeve ka tension, ndaj dhe deklaratat janë më të kujdesshme.

“Një person e bën dhe fajësohet i gjithë komuniteti. Asnjë komunitet nuk e dëshiron këtë lloj barbarizmi. Ne e dënojmë dhe duhet ta dënojmë atë së bashku “, thotë Mahmudur Rahman.

Misioni i banorëve që jetojnë pak metra nga lagjia “Borough Market” dhe ura e Londrës është të mos u japin terroristëve atë që duan.

“Duhet të vazhdojmë. Ne jemi populli britanik që ka kaluar kohëra më të këqija se këto dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë si komunitet dhe si një komb”, thotë Dugalb Black.

Në Britani ishte diçka e rrallë të shihje policë të armatosur. Tani këtu në “Borough Market” ata të kujtojnë së sulmet e tre muajve të fundit mund t’a kenë ndryshuar këtë vend përgjithmonë.

Tre shqiptar evakuan klientët dhe nuk lejuan të shkaktohej asnjë viktim nga sulmi në Londër.

Pronari i lokalit tregon reagimin e heronjëve shqiptarë

Tre ish ushtarakë shqiptarë mund të konsiderohen heronj, pasi gjatë sulmit në Londër, ata kanë ndihmuar rreth 130 persona që ndodheshin në restorantin pranë urës së Londrës ku tre agresorë të shtunën shtypën turmën e më pas nisën të godasin qytetarët me thika.
Pronari i Lokalit “Café Brood” rrëfeu për mediat se tre ish-pjesëtarë të ushtrisë shqiptare të cilët punojnë në barin e tij kanë ndihmuar që të gjithë klientët të ishin të sigurt në tarrace ndërsa 3 agresorët kishin nisur sulmin e tyre me thika. Mark Stembridge shprehet se klientët e tij ruajtën qetësinë falë 3 shqiptarëve.


“Tre djemtë po bërtisnin, nuk di t’ju them cfarë po thonin.Tre shqiptarët qetësonin njerëzit duke u thënë se situata nuk ishte dhe aq e rrezikshme në mënyrë që të evitonin përshkallëzimin e panikut. Agresoret hezituan te nderhynin kur pane se ne ishim te mireorganisuar’.
Sipas pronarit tre nga punonëjsit e tij që janë ish ushtarë shqiptarë u treguan shumë të zotë për të ruajtur sigurinë. Nga sulmi në urën e Londrës humbën jetën 7 persona e  u plagosën me dhjetra të tjerë, ndërsa policia asgjesoi 3 agresorët.

Hot this week

Drejtësia greke nuk pranon të kryej ADN e të akuzuarit shqiptar, Margjokaj

KMA NEWS / Gjukata e apelit në Athinë, ka...

I dënuar me burg përjetë i riu shqiptar Margjokaj, shpallet i pafajshëm

KMA NEWS / Shqiptari i dënuar me burgim të...

Nis transmetimet televizioni më i ri në Shqipëri Fax News (Ndiqe live)

KMA NEWS / Televizioni i ri informativ FAX News ka startuar...

E jashtëzakonshme: Vjen Meda me Ponin në një koncert të madh në Athinë !

KMA NEWS / E jashtëzakonshme, por ja që ndodh,...

KUR KLIKIMET BËHEN MË TË RËNDËSISHME SE E VËRTETA

GAZETA E LONDRES - KUR KLIKIMET BËHEN MË TË...

KUR LIRIA E FJALËS KTHEHET NË ARMË

GAZETA E LONDRES - KUR LIRIA E FJALËS KTHEHET...

105 NDRYSHIME NË KODIN E PROCEDURËS PENALE

GAZETA E LONDRES - 105 NDRYSHIME NË KODIN E...

Mijëra targa fantazmë të paligjshme zbulohen nga kamerat e reja në Angli

GAZETA E LONDRES - Mijëra targa fantazmë të paligjshme zbulohen...
spot_img

Related Articles

Popular Categories

spot_imgspot_img