SHQIPTARI NEWS – Presidenti francez, Emmanuel Macron, priti sot në Paris kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, takimi i parë në kuadër të zhvillimeve të kësaj jave që pritet të shënojë rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Hoti shkroi se “marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës. Biseduam edhe për nevojën e heqjes së regjimit të vizave për kosovarët”.
Franca, shkroi ai, “mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve”.
Analistët politikë në Kosovë thonë se procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka arritur të përmbushë synimin kryesor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.





