GAZETA E LONDRES – Shuhet ikona e teatrit dhe kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa
Është ndarë nga jeta në moshën 91 vjeçare Margarita Xhepa Ikona e skenës dhe ekranit shqiptar.
Me ndarjen nga jeta të Margarita Xhepës, arti shqiptar humbi një nga figurat më të shquara të skenës dhe kinematografisë. Një emër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e teatrit dhe filmit shqiptar, Xhepa ka qenë një simbol i mjeshtërisë artistike, elegancës dhe përkushtimit të pakompromis ndaj artit skenik.
E lindur në vitin 1932, ajo nisi rrugëtimin e saj artistik që në vitet ’50 si aktore në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar), duke u bërë shpejt një ndër yjet më të ndritshme të dramaturgjisë shqiptare. Me një karrierë mbi 50-vjeçare, Margarita Xhepa ka mishëruar mbi 150 personazhe në skenë dhe ka dhuruar interpretim të paharrueshëm në më shumë se 30 filma kinematografikë.
Ndër rolet e saj më të spikatura në teatër numërohen personazhe ikonike si Majlinda në “Majlinda”, Dafina në “Lumi i vdekur”, Filja në “Cuca e maleve”, Zonja Mëmë në “Kush e solli Doruntinën”, si dhe interpretimet e saj të fuqishme në veprat e dramaturgjisë botërore, përfshirë Ofelinë në “Hamleti”, Ledi Milford në “Luiza Miler” dhe Ana Andrejevnën në “Revizori”.
Në kinematografi, Margarita Xhepa ka qenë pjesë e filmave të paharrueshëm shqiptarë si “Gjeneral gramafoni”, “Koncert në vitin 1936”, “Dimri i fundit”, “Pesha e kohës”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “I dashur armik”, ndërsa në vitin 1997 shkëlqeu në filmin grek “Mirupafshim”, duke fituar Çmimin e Nderit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik.
Gjatë gjithë jetës së saj, ajo u vlerësua me disa nga çmimet më prestigjioze në artin shqiptar, përfshirë titujt “Artiste e Merituar” dhe “Artiste e Popullit”. Margarita Xhepa nuk ishte thjesht një aktore; ajo ishte një institucion i kulturës shqiptare, një model i përkushtimit dhe pasionit për artin, një grua me një zë të fuqishëm dhe një prezencë që magjepste publikun në çdo dalje skenike apo ekranike.





