GAZETA E LONDRES – “Tradhtar apo viktimë? E vërteta që rishkruan përplasjen Berisha–Basha”
Një raport i ndërlikuar mes aleancës dhe përplasjes.
Marrëdhënia mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka qenë një nga dinamikat më të debatueshme dhe më përcaktuese të politikës shqiptare në dekadën e fundit.
Nga një aleancë e fortë politike dhe institucionale, e ndërtuar mbi besimin, mbështetjen personale dhe trashëgiminë politike brenda Partisë Demokratike, kjo marrëdhënie evoluoi në një përplasje të ashpër, me pasoja të thella për të dy protagonistët dhe për vetë opozitën shqiptare.
Vendimi i Bashës për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar shënoi një pikë kthese jo vetëm në marrëdhënien e tyre personale, por edhe në fatin politik të PD-së.
Nga një lidhje e ndërtuar mbi raportin mentor–pasardhës, kjo u shndërrua në një betejë për legjitimitet, e ndikuar njëkohësisht nga presionet e jashtme ndërkombëtare dhe nga tensionet e brendshme brenda partisë.
Për rrjedhojë, dorëheqja e Bashës nuk ishte një zgjedhje e lirë, por pasojë e një skeme që dështoi. Ai nuk arriti ta kontrollonte procesin e përçarjes së thellë që pasoi dhe, në fund, u detyrua të tërhiqej nga drejtimi aktiv i PD-së, duke ia lënë atë Enkelejd Alibeajt. De jure, ai vijoi të mbante postin për një kohë, por praktikisht ndikimi i tij u zbeh ndjeshëm. Në këtë këndvështrim, nuk ishte as një detyrim i pashmangshëm, as një domosdoshmëri, por një llogaritje e gabuar nga të dyja palët.
Ajo që vlen të theksohet sot, është se ndonëse Berisha ka qenë mjaft i zëshëm në akuzat dhe qëndrimet kundër Bashës, ky i fundit ka zgjedhur vazhdimisht heshtjen. Një heshtje që disa e lexojnë si mungesë force, por që të tjerë e shohin si një përmbajtje e qëllimshme. Sepse, nëse Basha do të fliste hapur për të gjitha ato që kanë ndodhur pas dyerve të mbyllura, për mënyrën se si u imponua, u përdor dhe më pas u braktis, shumë demokratë do të kishin më të qartë se kush e ka fundosur Partinë Demokratike dhe kush mban realisht përgjegjësinë për gjendjen e saj.
Nuk mund të harrohet fakti se ishte vetë Sali Berisha që na prezantoi me Lulzim Bashën, që e vendosi në çdo hallkë kyçe të qeverisjes së djathtë dhe që pas çdo humbjeje i qëndroi përkrah, duke kërkuar nga demokratët ta mbështesin.
Ishte Berisha që, pas dorëheqjes si kryetar, e mbështeti fuqimisht Bashën për ta marrë drejtimin e partisë. Dhe ishte po Berisha që, pavarësisht disfatave, e mbrojti publikisht në çdo rast, duke kërkuar besim për të. Ndaj, për shumë demokratë që qëndruan në krah të Bashës, kjo nuk ishte një zgjedhje e pavarur, por një vazhdimësi e natyrshme e një linje që vetë Berisha kishte ndërtuar dhe mbrojtur për vite me radhë.
Ironia e madhe është se sot, kur rrugët e tyre janë ndarë, përgjegjësitë tentojnë të hidhen vetëm mbi njërin. Por e vërteta është më e ndërlikuar, dhe më e hidhur për ata që kërkojnë t’i japin opozitës një shans të ri për rilindje.
Një marrëdhënie e njëanshme – Postulati që e shpjegon më qartë prishjen mes tyre
Në këtë raport të ndërlikuar mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, një postulat politik që është hedhur nga unë me të drejtë është:
“Kush është me Bashën është edhe me Berishën, por kush është me Berishën është kundër Bashës.”
Ky nuk është thjesht një konstatim logjik, por një përkufizim që del nga vetë sjelljet dhe pozicionet publike të të dyve në këto vite të fundit. Mbështetësit e Bashës nuk kanë ushqyer kurrë luftë me figurën e Sali Berishës. Përkundrazi, ata kanë ruajtur një linjë përmbajtjeje dhe respekti institucional, pavarësisht dallimeve të thella. Lulzim Basha vetë, edhe në momentet më të vështira të përplasjes me Berishën, nuk e ka sulmuar publikisht. Nuk ka hedhur akuza, nuk ka bërë denoncime, madje nuk ka artikuluar kurrë ndonjë nga të vërtetat therëse që vetëm ai i di për marrëdhënien me Berishën.
Mund të kujtojmë çështje të ndjeshme si ajo e Rrugës së Kombit, një projekt i kontestuar dhe i hetuar, ku Basha ka qenë figurë kyçe si ministër infrastrukture. Ose ngjarjet tragjike të 21 janarit, kur ai mbante postin e ministrit të Brendshëm. Apo ngjarjen e Gërdecit. Edhe në këto raste, Basha nuk ka ndërtuar narrativë politike për t’u distancuar apo për të fajësuar Berishën, edhe pse mund ta kishte bërë me lehtësi.
Nga ana tjetër, Berisha jo vetëm që ka ndryshuar qëndrim në mënyrë radikale ndaj Bashës, por ka ndërtuar një retorikë të fortë kritike, shpesh të ashpër dhe përjashtuese në raport me të.
Megjithatë, edhe ai, në thelb, nuk ka ndarë publikisht ndonjë fakt domethënës që do të rrezikonte seriozisht figurën e Bashës, ndonëse në retorikën e tij shpesh e ka paraqitur si të tillë.
Pse? Sepse ndoshta nuk ekzistojnë. Ose sepse dihet mirë se Basha nuk e ka as tradhtuar, as përçarë Berishën, por thjesht ka marrë një vendim politik në një moment presioni të madh ndërkombëtar, që Berisha nuk pranoi ta mirëkuptojë.
Ky kontrast e bën të qartë se përplasja ka qenë e njëanshme. Berisha e braktisi Bashën, e injoroi, më pas e sulmoi, ndërsa Basha as nuk e ka sulmuar, as nuk ka tentuar të përfitojë nga ndonjë “e fshehtë” e marrëdhënies së tyre. Në këtë aspekt, është e qartë pse mbështetësit e Bashës nuk kanë asnjë armiqësi ndaj Berishës. Por mbështetësit e Berishës janë ndërtuar mbi një retorikë përjashtuese, ku shpesh çdo mendim ndryshe është trajtuar si tradhti ndaj PD-së, duke thelluar ndasitë e brendshme dhe duke përjashtuar çdo tentativë për bashkëjetesë politike.
Kjo sjellje kontraston edhe me zhvillimet më të fundit politike.
Në këto zgjedhje, Basha ka ndërtuar një proces të brendshëm demokratik, ka krijuar hapësira për riorganizim dhe përfshirje, ndërsa Berisha ka ndjekur një rrugë të kundërt, një proces pa garë të hapur, të shoqëruar me retorikë përçarëse dhe mbi të gjitha, me aleanca të natyrës më të diskutueshme.
Sepse është paradoksale të pretendosh se je “PD e vërtetë” kur bën aleancë me Ilir Metën, një figurë që është denoncuar më parë nga vetë Berisha me akuza të rënda për korrupsion.
Të pretendosh se përfaqëson të djathtën, kur përqafon PBDNJ-në e Vangjel Dules apo PDIU-në e Shpëtim Idrizit, dy parti që ideologjikisht janë në kontrast mes tyre dhe me vetë PD-në, është të mohosh çdo koherencë programore.
Në këtë sfond, qëndrimi i Bashës duket më i arsyeshëm, më i ndërtuar mbi parime, më i duruar në raport me goditjet, dhe më i qartë në përpjekjen për të ndërtuar një opozitë moderne. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e postulatit: Kush është me Bashën, nuk ka qenë kurrë kundër Berishës. Por kush është sot me Berishën, e ka kthyer Bashën në armik, për t’i shërbyer një përplasjeje që i ka lodhur dhe ndarë demokratët, duke zhytur partinë në një krizë të thellë identiteti dhe përfaqësimi, krizë që mund të tejkalohet vetëm përmes një reflektimi të thellë, rikthimi te parimet dhe rikonstruksioni i një opozite që ofron alternativë reale dhe jo thjesht antagonizëm politik.
Gjenevë 07.04.2025






