KMA NEWS
Av. Agron Gurabardhi
Reforma në drejtësi “mori rrugën…” !
Një pjesë e madhe e shqiptarëve konsiderojnë të nevojshme madje të domosdoshme për të reformuar drejtësinë, edhe në qoftë se ata kanë një imazh jo të mirë ndaj kësaj klase plotike që ka marr përsipër reformimin e sistemit të drejtesise.
Por në vënd të veprave, kemi projekte të reformës, të propozuara nga partitë e mëdha, të cilat s’di pse më ngjajnë me ofertat publicitare!
Eshtë periudha e politikës së spektaklit dhe të irealizimit të shoqërisë reale, nën postulatin: “Ajo që duket, sipas tyre është e mirë, ajo që është e mirë duket”.
Ekspertët reklamues nën makiazhin e specialistit, paraqesin zgjidhje të ngërçit të sistemit të drejtësisë, postulate partiake të hedhura mbi letra te bardha, letra të pa shkruara, ku bardhësia e pa shpresë e tyre që implikon hiçin dhe absurden, lë për te kuptuar se nuk ka shumë rëndësi e thëna mbi produktin – shteti i së drejtës, por veç tërheqja e vëmëndjes mbi këmbënguljen ekzistenciale të klasës politike, jetëgjatësia e të cilës mbetet e varur nga reforma, aparenca, iluzioni dhe falsiteti i vlerave.
Mirëpo me sa duket kjo gjëndje bëhet aq joshëse për t’u kritikuar, sa që të rrëmben në kritikën pasionante, pa asnjë vlerë nën influencën e të cilës partia triumfatore vetëm sa qeshet dhe vazhdon të sundojë butësisht, madje tani me konsensus,i cili soditet në një botë hipokrite që “Politika e spektaklit” vetë e ka krijuar dhe e ka pranuar!
Nga një studim i gjërë i bërë ndaj klientëve të ardhur në Studion time Ligjore “Gurabardhi” , të opinionit të tyre në lidhje me gjëndjen e sistemit të drejtësisë, u gjënda përballë një vështrimi kritik të tyre për drejtësinë.
Shumica dërrmuese e tyre (95%) janë të mendimit se drejtësia duhet të reformohet.
Mbi 90% konsideron se ajo punon dobët ose shumë dobët.
Mbi 90% mendojnë se gjyqtarët nuk janë të pavarur.
Megjithatë, ka shpresa përderisa qytetarët janë më së shumti të mendimit, që një konflikt të tyre ia besojnë për ta zgjidhur në të shumtën e rasteve sistemit të drejtësisë dhe jo vetëgjyqësisë dhe madje mbi 80% thonë se ata besojnë në zgjidhjen e ankimit tyre nga drejtësia.
Por çfarë duhet të prekë në fakt kjo reformë?
1- Ankesa kryesore e qytetarëve është fakti që drejtësia është shumë e ngadalëshme: 95% e të anketuarve besojnë se është shumë i ngadaltë, shumë komplekse, dhe se gjuha ligjore është e vështirë për t’u kuptuar.
2-Drejtësia nuk është gjithashtu efektive për më shumë se gjysmen e tyre.
Për 80% të të anketuarve, urgjencë mbetet që të shkurtohen dhe të thjeshtësohen procedurat, të bëhet thjeshtimi i gjuhës së gjyqësorit dhe ata kërkojnë zvogëlimin e shpenzimeve procedurale.
3- Ata kërkojnë t’u jepet përparësi palëve ndërgjygjëse duke pritur një informacion më të mirë, qofte dhe elektronik në lidhje me ecurinë e seancave dhe funksionimin e drejtësisë, kostove apo vonesave.
4- Duke qënë se gjyqtarit i duhet të vendosë për të gjitha mosmarrëveshjet,ata mendojnë se një gjyqtari ,të cilit i duhet të merret vetëm me konfliktet që i zgjidh kodi familjes, nuk duhet të merret me çështje të tjera civile apo penale.
5- Mbi 80% e të anketuarve besojnë se një zgjidhje e negociuar brenda një kuadri ligjor, por pa u paraqitur para një gjyqtari apo një gjykate, është më e mirë për të zgjidhur një mosmarrëveshje, për rastet kur ka mospajtim me një tregtar, një pronar, një qiramarrës ose për shqetësimet e një borxhi, apo me një fqinj përmes negociatave.
Ky është gjithashtu rasti për një konflikt me një punëdhënës ose me një bankë.
6- Dhe 76% e të anketuarëve mendojnë se në rast të shkurorëzimit, një zgjidhje e negociuar tek ndërmjetësuesit është më e preferuar para kalimit të çështjes te një gjyqtar për tu gjykuar.
7- Më çuditërisht, për më shumë se gjysma e të anketuarëve, mund të penalizojnë një vrazhdësi ose dhunë pa vjedhje dhe të ngurojnë veç për shkak të procedurave të zgjatura e të lodhëshme që të shpien çështjen për zgjidhje pranë një gjykate sidomos në rastet për të mbrojtur fëmijët dhe të moshuarit ose të dënojnë dhunën në familje dhe sjelljen e keqe nga dehja dhe sërishmi ankimet ngurrojnë t’i bëjnë për shkak të proçedurave.
Në asnjë nga projektet e paraqitura deri tani nuk janë pasqyruar ndryshime në drejtimet e sipërpërmendura, të cilat janë më thelbësoret dhe më emergjente për reformimin real të drejtësisë.
Për sa kohë që nuk kemi një reformë në shërbim të ligjit dhe të kësaj shoqërie, e cila ka këtë opinion të bazuar në nevoja reale dhe kërkon këto ndryshime, por njëkohësisht përfaqësuesit e të cilës nuk reagojnë thelbësisht ndaj këtij projekti të reformës në drejtësi bashkë me grupet e interesit, kemi të bëjmë me një shoqëri të zhytur në një ambjent me eter dhe aspak oksigjen, e cila po mbytet nga kjo “politikë e spektaklit”, duke çuar kështu në zhgënjimin dhe paralizimin total të saj.





