KMA NEWS/ “Një reformë ku Rama po kërkon legjitimitetin përmes mbështetjes së diplomatëve amerikanë dhe europianë”, kështu thotë Lubonja për atë që e quan pa frikë si një grusht shteti.
Sipas shkrimit të tij të sotëm tek Panorma, i cili duket se i ka bërë një studim thelbësor ndryshimeve që propozohen dhe vërejtjeve për to, reforma që po propozohet përfaqëson një kapje nga pushtetit aktual i sistemit të drejtësisë.
Sipas Lubonjës, në Shqipëri ka shumë pak njerëz të pamilitantizuar të cilëve mund t’u besohet lënia në dorë e fateve të drejtësisë. Dhe këtë rrezik ai e sheh në nismën për të ngritur një Komision të Pavarur Kualifikimi që do të kryejë verifikimin e pastërtisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nën mbikqyrjen e një Misioni Ndërkombëtar Monitorimi.
Kjo shpikje e cila merret nën arsyetimin se drejtësia shqiptare ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme (In cauda venenum) është çelësi për të kapur sistemin e drejtësisë, sipas Lubonjës.
“Po kush do ta zgjedhë Inkuizitorin e Madh të Kualifikimit?
Këshilli i Ministrave, me një fjalë e njëjta dorë. Apo kuvendi me 3/5? Po vëzhguesit e huaj kush i miraton pas propozimit që bën Komisioni ndërkombëtar?
Reforma në Drejtësi krijon kushtet e një gjendje të jashtëzakonshme, e një grushti shteti ku lind nevoja e organeve me fuqi të jashtëzakonshme derisa të konsolidohet pushteti i puçistëve“, shkruan Lubonja për Panorama.
Ai shton se Edi Rama përmes diktaturës së urgjencës kërkon të legjitimojë një reformë me vulën e ndërkombëtarëve nga një parti e përbërë nga banditë dhe kryebanditë të vjetër, që sipas tij sot duhet të ishin në bankën e të akuzuarve.
Lubonja e mbyll analizën duke thënë se nëse ndërkombëtarët që e mbështesin këtë reformë antidrejtësi nuk janë nën presionin e lobingjeve të Ramës, duhet t’i japin përgjigje pyetjes nëse kjo reformë mund të kryhet nga një parti dhe një kryetar që e mbushi parlamentin me kriminelë.





