KMA NEWS
Nga: Av.Agron Gurabardhi
Ka mbi 25 vjet që ne mbytemi, izolohemi, rrihemi dhe vritemi çdo ditë në heshtje! Sot shoqëria civile reagon ndaj betonizimit të parkut kombëtar të Tiranës.
Në fakt është një reagim kundër kësaj mbytjeje, këtij izolimi, rrahjeje dhe vrasjeje në heshtje prej 25 vjetësh, që po na bëhet nga politikat e ndjekura deri tani nga politikanët tanë të pa aftë, të korruptuar dhe të pa ndërgjegjshëm, në lidhje me shfrytëzimin pa kriter e në mënyrë të paligjshme të ambientit, apo me masakrën urbane, me shkatërrimin e pyjeve dhe shfrytëzimin pa kriter të natyrës.
Ky në fakt nuk është reagimi i parë.
Të gjithëve u kujtohen lëvizjet e shoqërisë civile në vitin (2004), për ndalimin e importit të plehrave, pastaj me ndalimin e tec-eve dhe petroliferës (2005-2006), me ndalimin e zënies së hapësirave publike dhe të gjelbërua në Tiranë prej vitit 2007-sot, me ndalimin e projektit “pallatet e gurta nën digë”, kur kryebashkiak ishte Rama (2008), me stisjen e moratoriumeve për ndalimin e gjahut dhe prerjen e pyjeve (2010-sot), me ndalimin e prerjeve të pemëve te rruga e Elbasanit (2012), me ndalimin e zënies së Namazgjasë në vitin (2013), me ndalimin e armëve kimike (2013), me ndalimin e marrjes së ujit në Radikë e Vjosë (2014-2015), me ndalimin e ndërtimeve nën digë (2013- sot), dhe së fundi me ndalimin e parkut te lojërave te liqeni artificial. Ndërkohë për secilën nga këto reagime të shoqërisë civile ka pasur rrahje, shoqërime në komisariate dhe deri në kërcënim për eliminim fizik.
Mirëpo paralelisht me këtë reagim të shoqërisë civile, mbytja vazhdon, helmimi dhe frymëmarrja jonë po bllokohet e vdekja e gjithsecilit po vjen në heshtje. Askush nuk foli kur fqinji poshtë nesh që kishte vëllain deputet, na erdhi me shtesën e një ballkoni, përballë, duke ndërtuar në mënyrë të pa ligjshme, duke na penguar dritën e diellit, duke na bllokuar frymëmarrjen, duke na vjedhur dhe zaptuar hapësirën publike. Askush nuk foli kur një trafikant në mënyrë të pa ligjshme bllokoi terrenin ku luanin fëmijët, duke ndërtuar një kazino, dikush një garazh apo një lokal, duke zaptuar pronën publike dhe duke vrarë të ardhmen e fëmijëve tanë.
Askush nuk reagoi kur njerëz të veshur me pushtet, në mënyrë të kundraligjëshme prenë tërë vreshtat dhe pyjet, duke i shkatërruar ato për të bërë tregtimin e tyre në mënyrë të pa ligjshme, duke na zvogluar frymëmarrjen, e duke na bllokuar mushkëritë. Askush nuk foli kur grabitësit e pronave në mënyrë të kundraligjëshme, shkatërruan kullimin dhe drenazhimin e tokave duke shkaktuar përmbytje të mëdha e duke i shkaktuar banorëve të këtyre zonave dëme të mëdha ekonomike, si në banesat ku jetojnë ashtu edhe në gjënë e gjallë të tyre. Askush nuk foli kur bizneset e paligjshme të babëzitura nga fitimet marramendëse, nga grabitja e pronave publike, shkatërruan pritat e lumenjve dhe ato malore duke u sjellë një dëm të madh, duke ndryshuar rrjedhën e lumenjve dhe duke shkaktuar rrëshqitje të terreneve me pasoja shkatërruese dhe të pa riparueshme për natyrën.
Tani çdo aksion i ndërmarrë nga shoqëria civile, e cila me sa duket është zgjuar nga kllapia ku e kishin futur klasa politike, konsiderohen nga njerëzit e pushtetit, si njerëz të pompuar nga inati e për zili nga opozita. Këta quhen prej tyre delirantë, që s’kanë bërë asgjë në jetën e tyre dhe që kanë dëshirën vetëm për të dalë në televizor, duke dashur që të minimizojnë rolin e shoqërisë civile në ndërmarrjen e aksioneve të tyre në dobi të qytetareve dhe kundra kësaj politikë e cila dita ditës po ndjen dridhjen e tokës nën këmbët e saj.
Por sido që të jetë, shteti është shtet dhe ai duhet të funksionojë si i tillë në shërbim të interesave të shtetasve të saj dhe kjo do ti imponohet politikanëve dhe pushtetarëve ose në mënyrë demokratike nga shoqëria civile ose me dhunë nga rebelimi mbarë popullor! Kur shohim filma të huaj, të realizuar mbi këtë temë, secili prej nesh qanë, dhe preket thellësisht dhe kur aktualisht kjo po ndodh mbi kurrizin tonë, ne nuk jemi të aftë të realizojmë faktin e rëndesës së situatës qoftë dhe të reagojmë për ta shmangur këtë situatë. Nuk e kuptojmë dhe nuk e ndjejmë se tërë këto veprime janë pushtime që i bëhen tokës tonë, natyrës tonë, jetës tonë dhe nuk do të ketë më kurrë çlirim. Në qoftëse një pjesë e mirë e shqiptarëve vuajnë për bukën e gojës tani të tërë do të vuajmë edhe për frymarrjen tonë.





