GAZETA E LONDRES – Dita e 13-të e protestës: Nga aktet simbolike te përplasjet me policinë, molotovët dhe dëmtimi i bizneseve
TIRANË – Protesta e ditës së 13-të nisi me pjesëmarrje më të ulët dhe disa akte simbolike, por me kalimin e orëve situata u përshkallëzua, duke u shoqëruar me hedhje gurësh, fishekzjarrësh, kapsollash dhe molotovësh, si dhe me dëmtime të pronës publike e private. Marshimi nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë dhe më pas në zona të tjera të kryeqytetit u shoqërua me episode dhune, ndërhyrje të policisë dhe shoqërime protestuesish.
Si zakonisht, grumbullimi nisi në orën 14:00 pranë Ministrisë së Arsimit, e cila shërbeu si pikënisja e protestuesve. Këtë herë, numri i pjesëmarrësve u duk më i ulët se në ditët e mëparshme. Në këtë pikë pati disa hedhje sporadike gurësh, ndërsa policia nuk reagoi.
Me marshimin drejt Kryeministrisë, një nga veprimet e para të protestuesve të maskuar ishte djegia e karrigeve të dialogut, një akt që u interpretua si shenjë tjetër e refuzimit të ftesës së kryeministrit Edi Rama për dialog.
Me afrimin e mbrëmjes, situata u tensionua më tej. Disa protestues nisën të shkulin pllaka me çekiçë dhe t’i grumbullonin në qese, për t’i përdorur më pas në hedhjen e gurëve drejt efektivëve të policisë dhe godinës së Kryesisë së Kuvendit.
Edhe Kryeministria u bë objekt i veprimeve të dhunshme. Një protestues i maskuar përdori një shufër hekuri, me të cilën theu disa dritare dhe ndriçues. Më pas, nisën hedhjet e fishekzjarrëve dhe përdorimi i mjeteve të forta, përfshirë shufra metalike dhe vare, për të dëmtuar biznese pranë zonës së njohur si “Kullat Binjake”.
Thirrjet e policisë për t’u distancuar nga aktet e dhunës nuk u respektuan nga disa prej protestuesve. Në vijim, në episode të caktuara, policia ndërhyri me ujë, gaz lotsjellës dhe spraj me piper, ndërsa pati edhe shoqërime personash.
Pas shpërndarjes së pjesshme të turmës, disa protestues u drejtuan drejt sheshit “Skënderbej”. Gjatë marshimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ata lanë pas gozhda në rrugë, duke krijuar rrezik për qarkullimin. Në sheshin “Skënderbej”, një pemë u vu në flakë, ndërsa në hyrje të bulevardit “Zogu I” u hodhën molotovë drejt automjeteve të policisë.
Në orët e para të protestës, vëmendjen e kishin tërhequr edhe disa akte simbolike. Pranë Kryeministrisë, protestuesit hodhën në zjarr disa kartëmonedha të rreme me vlerë të shënuar 2,500 euro, në një veprim ironizues ndaj pretendimeve për shpërblimin e punonjësve të policisë.
Një nga episodet më të rënda të mbrëmjes ishte dhuna ndaj një të riu që shprehu mbështetje për dialogun. Pas reagimeve të protestuesve të tjerë, ai përfundoi i shtrirë në tokë. Dy punonjës policie iu afruan për t’i dhënë ndihmën e parë, përpara se i riu të largohej me ambulancë.
Në protestë pati edhe shenja solidariteti me të riun që mbeti i lënduar në sy gjatë protestës së një dite më parë. Disa pjesëmarrës u shfaqën me bluza ku shkruhej “Të gjithë jemi Erion”, ndërsa mbanin edhe fasha.
Mes episodeve të tjera, një protestues i maskuar iu afrua efektivëve të policisë duke u dhuruar lule të thara, ndërsa një tjetër u paraqit me kroasantë, në veprime që kontrastuan me tensionin dhe aktet e dhunës që shoqëruan protestën.
Dita e 13-të e protestës u mbyll kështu mes akteve simbolike, përplasjeve, dëmtimeve të pronës dhe ndërhyrjeve të policisë, duke e zhvendosur vëmendjen nga mesazhet e protestuesve te pasojat e dhunës në hapësirat publike të kryeqytetit.





