GAZETA E LONDRES – Kush e nxit dhunën dhe kush përfiton prej saj? Kushtetuta dhe Arsimi nën sulm
Nga Kujtim VANI
Protesta është oksigjeni i demokracisë, por dhuna ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës dhe nxitja e të rinjve drejt përplasjes nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën demokratike. Kur goditen institucionet që përfaqësojnë themelet e shtetit, lindin pyetje që shkojnë përtej një proteste të zakonshme politike.
Nuk jam marrë dhe nuk po merrem me debatin e ditëve të fundit se kush e nisi përplasjen, nëse policia ushtroi dhunë ndaj adoleshentëve, nëse u lënduan protestues apo efektivë të policisë dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për çdo incident të veçantë. Këto janë çështje që duhen hetuar, dokumentuar dhe gjykuar mbi bazën e fakteve, pa paragjykime dhe pa standarde të dyfishta.
Ajo që dua të trajtoj është shumë më thelbësore. Kam disa pyetje të thjeshta, por me një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Shqipërisë.
Çfarë do të thotë të sulmosh godinën e Gjykatës Kushtetuese?
Çfarë do të thotë të sulmosh dhe të shkatërrosh Ministrinë e Arsimit?
A e kuptojnë ata që kryejnë akte të tilla se çfarë përfaqësojnë këto institucione? Dhe, mbi të gjitha, a e kuptojnë ata që i nxisin, i mbështesin dhe i justifikojnë se çfarë mesazhi po i japin shoqërisë shqiptare?
Kushtetuta dhe Arsimi, dy themele të shtetit
Kushtetuta nuk është thjesht një dokument me nene, paragrafe dhe formulime juridike. Ajo është themeli mbi të cilin ndërtohet rendi kushtetues i një shteti. Ajo përcakton organizimin dhe kufijtë e pushtetit, garanton të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve dhe vendos rregullat që duhet të respektojnë të gjithë, nga qytetari i zakonshëm deri te kryeministri dhe presidenti i vendit.
Gjykata Kushtetuese është institucioni që garanton, brenda kompetencave të saj, respektimin e Kushtetutës dhe kontrollin kushtetues të akteve të pushtetit publik. Ajo nuk është pronë e një partie politike, as e qeverisë dhe as e opozitës. Është një institucion i shtetit dhe një garanci për çdo qytetar që kërkon mbrojtje nga abuzimi me pushtetin.
Prandaj, sulmi ndaj saj nuk është një akt pa domethënie. Ai prek simbolikisht dhe fizikisht institucionin që mishëron idenë se pushteti duhet të ushtrohet sipas ligjit dhe jo sipas forcës së turmës.
Në një demokraci, kur një vendim i një institucioni kundërshtohet, ekzistojnë rrugë ligjore për ta ankimuar, kritikuar dhe kërkuar ndryshimin e tij. Mund të organizohen protesta, të bëhen peticione, të zhvillohen debate publike dhe të kërkohet përgjegjësi politike. Por shkatërrimi i institucionit nuk është zgjidhje. Përkundrazi, është një goditje ndaj vetë parimit se konfliktet duhet të zgjidhen nëpërmjet ligjit.
Po Arsimi, çfarë përfaqëson?
Arsimi është një nga investimet më të rëndësishme të një kombi në të ardhmen e vet. Ai formon brezat e rinj, zhvillon mendimin kritik, edukon qytetarët dhe krijon mundësitë që një shoqëri të përparojë përmes dijes, shkencës dhe meritës.
Ministria e Arsimit, pavarësisht se kush e drejton dhe sa të drejta apo të padrejta mund të jenë kritikat ndaj politikave të saj, është pjesë e strukturës institucionale që administron një nga sektorët më të rëndësishëm të jetës publike.
Nëse ka probleme në arsim, nëse ka padrejtësi ndaj studentëve, nëse universitetet kanë nevojë për reforma dhe nëse qeveria ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj, atëherë këto çështje duhen ngritur me argumente, me kërkesa konkrete dhe me një alternativë të besueshme.
Por çfarë kuptimi ka të pretendojmë se luftojmë për dije, ndërkohë që shkatërrojmë institucionet që lidhen me administrimin e arsimit? Çfarë modeli edukimi po u japim të rinjve kur u mësojmë se një godinë publike mund të sulmohet dhe se dhuna është një mjet legjitim për të imponuar kërkesat politike?
Nuk mund të mbrosh demokracinë duke sulmuar institucionet e saj dhe nuk mund të mbrosh arsimin duke zëvendësuar argumentin me gurë, molotovë dhe shkatërrim.
Protesta është e drejtë, dhuna nuk është alternativë
Unë kam qenë dhe mbetem gjithmonë në mbështetje të protestave qytetare. Protesta është një nga instrumentet më të rëndësishme të demokracisë. Ajo u jep zë qytetarëve, u mundëson të kundërshtojnë padrejtësitë, të denoncojnë korrupsionin dhe t’i kërkojnë llogari qeverisë.
Një shoqëri ku njerëzit nuk protestojnë, ku studentët nuk ngrenë zërin dhe ku pedagogët nuk kundërshtojnë vendimet e gabuara, rrezikon të humbasë një pjesë të rëndësishme të vitalitetit të saj demokratik.
Por protesta dhe dhuna nuk janë sinonime.
Të protestosh do të thotë të ngresh zërin, të paraqesësh kërkesa, të bindësh opinionin publik dhe të kërkosh ndryshimin e politikave apo edhe largimin e një qeverie përmes mekanizmave demokratikë.
Të hedhësh molotovë drejt institucioneve, të sulmosh punonjësit e rendit, të shkatërrosh biznese private dhe të dëmtosh pronën publike është diçka krejt tjetër. Për këto veprime duhet të ketë përgjegjësi individuale, ndërsa çdo ndërhyrje e policisë duhet të jetë e ligjshme, e nevojshme dhe proporcionale.
Nuk mund të justifikojmë dhunën e protestuesve duke mohuar mundësinë e dhunës së paligjshme nga policia. Por as nuk mund të justifikojmë çdo veprim të dhunshëm të protestuesve vetëm sepse ata pretendojnë se kanë një kauzë politike.
Demokracia nuk mund të funksionojë me dy standarde.
Kush po i udhëheq të rinjtë drejt përplasjes?
Ajo që më shqetëson veçanërisht është roli i atyre që, në studio televizive, në deklarata publike apo në tribunat politike, pretendojnë se janë njerëzit më të ditur të shoqërisë, por që, në vend të argumenteve dhe zgjidhjeve, ushqejnë gjuhën e përplasjes.
Kam parasysh disa analistë, politikanë dhe figura publike që e paraqesin veten si udhërrëfyes të opinionit publik, por që, sipas meje, shpesh e zëvendësojnë analizën me retorikën e zemërimit. Po kështu, kritika ime u drejtohet atyre pedagogëve që, në vend të rolit të tyre edukues, mund të kontribuojnë në përshkallëzimin e situatës kur e paraqesin dhunën si rrugë drejt ndryshimit politik.
Titulli akademik nuk e bën askënd automatikisht të pagabueshëm. As statusi i analistit nuk i jep askujt të drejtën të nxisë të tjerët drejt rrezikut pa mbajtur përgjegjësi morale për fjalët e veta.
Pedagogu ka një përgjegjësi të veçantë. Ai nuk është thjesht një individ që shpreh një qëndrim politik; ai është edhe një figurë që ndikon në formimin intelektual dhe qytetar të studentëve. Detyra e tij është t’i mësojë të rinjtë të mendojnë, të argumentojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë prova. Jo t’i bindë se guximi matet me numrin e gurëve që hedhin apo me intensitetin e përplasjes me policinë.
Kritika ndaj pedagogëve duhet të mbështetet te sjelljet dhe deklaratat konkrete, jo te sulmet personale apo te numri i botimeve shkencore të dikujt. Por kur një figurë publike nxit shprehimisht dhunën, kjo nuk mund të fshihet pas autoritetit të saj profesional.
Dhe këtu lind një pyetje e rëndësishme: a e kanë menduar ndonjëherë këta njerëz se kush do të paguajë çmimin nëse situata del jashtë kontrollit?
Ata që bëjnë thirrje nga studiot televizive mund të qëndrojnë larg përplasjes, ndërsa të rinjtë që u besojnë mund të përballen me plagosje, arrestime dhe pasoja që mund t’u ndikojnë të ardhmen.
Të jesh trim duke dërguar të tjerët në rrezik nuk është trimëri. Është papërgjegjshmëri.
Pedagogët dhe pankarta kundër integrimit europian
Një tjetër moment që më ka bërë përshtypje është shfaqja e pankartave në protestën e pedagogëve kundër Ursula von der Leyen dhe Marta Kos, të shoqëruara me kërkesën që ato të shpallen non grata.
Secili ka të drejtë të kritikojë drejtuesit e Bashkimit Europian. Edhe politikat europiane mund dhe duhet të debatohen. Por duhet të kuptojmë se çfarë mesazhi përcillet kur drejtues të rëndësishëm të institucioneve europiane shpallen objektiv i një fushate të tillë politike.
Shqipëria ka zgjedhur rrugën e integrimit europian. Ky proces kërkon reforma, institucione funksionale, sundim të ligjit, arsim cilësor dhe respektim të standardeve demokratike.
Mund të kundërshtosh një vendim të Brukselit, mund të kërkosh më shumë drejtësi dhe mund të kritikosh mënyrën se si funksionojnë institucionet europiane. Por duhet të shpjegosh edhe çfarë alternative ofron.
Nëse një protestë paraqitet si mbrojtje e studentëve dhe e së ardhmes së tyre, atëherë është legjitime të pyesim: si lidhet një kërkesë e tillë me problemet konkrete të studentëve? Çfarë zgjidhjeje sjell? Dhe a është në përputhje me objektivin e deklaruar të forcimit të perspektivës europiane të Shqipërisë?
Nuk mund të nxjerrim përfundimin se çdo pankartë kundër një zyrtari europian është automatikisht kundër integrimit. Por kur këto thirrje shoqërohen me një retorikë që vë në dyshim vetë orientimin europian të vendit, atëherë publiku ka të drejtë të kërkojë sqarime.
Studentët që kërkojnë ndryshim duhet të jenë në gjendje të dallojnë mes kritikës së argumentuar ndaj Europës dhe përdorimit të pakënaqësisë së tyre për qëllime të tjera politike. Pse ti mbështes pedagogët kur ushqejn frymë anti integrimit në BE?!
Po fëmijët dhe adoleshentët kush i mbron?
Një nga aspektet më të rënda të çdo proteste të dhunshme është përfshirja e të miturve në situata ku mund të rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre.
Një adoleshent mund të zemërohet, të ndikohet nga shokët, të tërhiqet nga turma apo të besojë se po merr pjesë në një ngjarje që do të ndryshojë vendin. Në moshën e tij, përgjegjësia për të kuptuar të gjitha pasojat e një veprimi nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me atë të një të rrituri që e nxit ose e organizon.
Prandaj, pyetja ime është: kush mban përgjegjësi kur një fëmijë përfundon në mes të flakëve, gurëve dhe përplasjeve me policinë?
A duhet të bëjnë më shumë prindërit për t’i mbrojtur fëmijët e tyre? Pa dyshim që siguria e tyre duhet të jetë përparësi. Por përgjegjësia nuk mund të përcaktohet me përgjithësime. Duhet parë rasti konkret, mosha e fëmijës, rrethanat, sjellja e të rriturve dhe nëse ka pasur nxitje apo shfrytëzim të të miturit.
Ligji duhet zbatuar sipas rregullave përkatëse dhe në interesin më të lartë të fëmijës. Nuk mund të kërkojmë automatikisht ndëshkimin e prindërve vetëm sepse fëmija ka marrë pjesë në një protestë. Por nëse një i rritur e shtyn me vetëdije një të mitur drejt dhunës ose e ekspozon ndaj një rreziku serioz, atëherë kjo duhet hetuar dhe vlerësuar sipas ligjit.
Për mua, pyetja më e rëndësishme nuk është se si mund t’i përdorim këta të rinj për të fituar një betejë politike, por si mund t’i mbrojmë ata që të mos bëhen viktima të saj.
Një shoqëri që i do fëmijët e vet nuk i përdor si mburojë politike. I edukon, i mbron dhe u mëson se ndryshimi kërkon guxim, dije dhe përgjegjësi.
Sa më gjatë në pushtet, aq më shumë përgjegjësi
Megjithatë, kritika ndaj dhunës nuk duhet të shndërrohet në një mbrojtje të pakushtëzuar të qeverisë.
Sa më gjatë të qëndrojë një forcë politike në pushtet, aq më shumë duhet të jetë e gatshme të japë llogari për vendimet e saj. Qëndrimi i gjatë në pushtet mund të krijojë rrezikun e përqendrimit të pushtetit, dobësimit të kontrollit institucional dhe zhvillimit të prirjeve autoritare. Kjo është arsyeja pse institucionet e pavarura, zgjedhjet e lira, media kritike dhe shoqëria civile janë thelbësore.
Dhe këtu lind një pyetje që duhet t’ia bëjmë edhe vetes si shoqëri: nëse kemi qenë të pakënaqur me qeverisjen, pse kemi lejuar që e njëjta forcë politike të qëndrojë kaq gjatë në pushtet? Pse i kemi dhënë votën? Pse nuk kemi kërkuar më shumë llogari në kohën e duhur?
Kjo pyetje nuk është një përpjekje për të fajësuar çdo qytetar që ka votuar për një parti të caktuar. Në demokraci, votuesit kanë bindje, interesa dhe arsye të ndryshme. Por është një thirrje për reflektim mbi përgjegjësinë tonë kolektive.
Qeveritë nuk bëhen të paprekshme vetëm sepse kanë fituar zgjedhjet. Ato duhet të kontrollohen, të kritikohen dhe, kur humbasin besimin e qytetarëve, të zëvendësohen përmes mekanizmave demokratikë.
Qeveria nuk rrëzohet në mënyrë demokratike duke djegur institucione, por duke fituar besimin e qytetarëve dhe duke u përballur me votën e tyre.
Ekziston edhe një mundësi tjetër politike: kur pakënaqësia bëhet aq e thellë, kur institucionet nuk arrijnë të japin zgjidhje dhe kur humbja e besimit është e dukshme, presioni qytetar mund ta detyrojë një qeveri të marrë përgjegjësi politike, deri edhe të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për zgjedhje të parakohshme. Por edhe ky ndryshim duhet të vijë përmes mjeteve demokratike dhe jo përmes imponimit të dhunshëm.
Nëse studentët dhe pedagogët e vërtetë, ata që kanë argumente, autoritet moral dhe një vizion për vendin, dalin së bashku dhe paraqesin kërkesa të qarta e të mbështetura në fakte, ata mund të ushtrojnë një presion shumë më të fuqishëm sesa një turmë që shkatërron gjithçka i del përpara.
Sepse një qeveri mund t’i rezistojë një nate trazirash, por e ka shumë më të vështirë t’i përgjigjet një lëvizjeje qytetare të organizuar, të arsyeshme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore.
Pse goditen institucionet dhe bizneset e qytetarëve?
Një tjetër pyetje që më shqetëson është përzgjedhja e objektivave të dhunës.
Pse dëmtohen bizneset private të njerëzve që kanë investuar kursimet e tyre, kanë marrë kredi dhe kanë punuar me vite për të ndërtuar një aktivitet ekonomik? Pse duhet të paguajë një tregtar, një pronar lokali apo një sipërmarrës i zakonshëm çmimin e një konflikti politik me të cilin mund të mos ketë asnjë lidhje?
Pse sulmohen institucione publike dhe jo vetëm kundërshtohen politikat e drejtuesve të tyre?
Dhe, në mënyrë të veçantë, pse nuk shohim të njëjtën vendosmëri për të kërkuar llogari për pasurinë e politikanëve dhe të atyre biznesmenëve që dyshohen për përfitime të paligjshme? Pse zemërimi nuk përqendrohet te hetimet, te transparenca e pasurisë, te kontratat publike, te konfliktet e interesit dhe te ndëshkimi ligjor i korrupsionit?
Nëse ka dyshime për pasuri të pajustifikuara, ato duhen hetuar nga institucionet kompetente. Nëse ka prova për korrupsion, ato duhen paraqitur dhe ndjekur ligjërisht. Por nuk mund të kërkojmë drejtësi duke shkatërruar pronën e qytetarëve që mund të jenë vetë viktima të padrejtësive ekonomike.
Dëmtimi i një biznesi të vogël nuk është goditje ndaj oligarkisë. Shpesh, është goditje ndaj një familjeje që jeton me atë biznes.
Shkatërrimi i një godine publike nuk është reformë institucionale. Është dëm që duhet riparuar me para publike, pra edhe me paratë e taksapaguesve që pretendojmë se po mbrojmë.
Sigurisht, vetëm nga objektivat e dëmtuara nuk mund të përcaktohet se kush e ka organizuar apo financuar dhunën. Për këtë duhen prova, hetime dhe fakte konkrete. Por është e ligjshme dhe e nevojshme të pyesim se kujt i shërben një përshkallëzim i tillë, kush përfiton politikisht prej tij dhe kush mbetet të paguajë faturën.
A po përsëritet hija e vitit 1997?
Prej rreth dhjetë vjetësh kam shprehur shqetësimin tim se Shqipëria mund të përballet me përpjekje për ta çuar vendin drejt një krize të rëndë politike dhe institucionale, me pasoja që mund të kujtojnë ngjarjet tragjike të vitit 1997.
Nuk e përmend vitin 1997 si një paralele të thjeshtë historike dhe as për të pretenduar se çdo protestë e sotme synon të përsërisë atë që ndodhi atëherë. E përmend sepse shqiptarët e dinë se sa i lartë mund të jetë çmimi kur konfliktet politike, mosbesimi ndaj institucioneve dhe përplasjet shoqërore dalin jashtë kontrollit.
Në kujtesën tonë kombëtare, viti 1997 mbetet një paralajmërim për pasojat që mund të sjellë shembja e autoritetit institucional dhe përhapja e dhunës.
Unë kam shprehur prej kohësh bindjen dhe shqetësimin se skenarë destabilizues mund të jenë diskutuar ose synuar nga aktorë të ndryshëm politikë. Kam qenë dhe mbetem i mendimit se partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin e vendit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe parandalimin e një krize të rëndë.
Por duhet të bëjmë një dallim të domosdoshëm: një shqetësim politik, një informacion i pakonfirmuar dhe një fakt i provuar nuk janë e njëjta gjë. Çdo pretendim për një plan konkret destabilizimi, për financues të fshehtë apo për skenarë të organizuar duhet të mbështetet në prova të verifikueshme përpara se të paraqitet si fakt.
Ajo që mund të themi me siguri është se Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër vit 1997. Nuk ka nevojë për viktima, për institucione të paralizuara dhe për një shoqëri të ndarë në kampe që e shohin njëri-tjetrin si armiq.
Nuk duhet të presim që një krizë të shpërthejë për të kuptuar rrezikun. Duhet ta parandalojmë atë duke forcuar shtetin ligjor, duke kërkuar përgjegjësi nga politika, duke mbrojtur të drejtën e protestës dhe duke refuzuar dhunën si mjet për marrjen e pushtetit.
Reforma në drejtësi dhe dyshimet për skenarë destabilizues
Një tjetër çështje që, sipas shqetësimeve të mia, meriton vëmendje është klima politike e krijuar pas miratimit të reformës në drejtësi.
Nëse reforma në drejtësi synon të garantojë që askush të mos jetë mbi ligjin, atëherë ajo duhet të zbatohet pa përjashtime dhe pa marrë parasysh përkatësinë politike të personave që hetohen. Pikërisht kjo është arsyeja pse drejtësia e pavarur është kaq e rëndësishme.
Në opinionin publik ekzistojnë dyshime dhe interpretime të ndryshme për motivet e disa përplasjeve politike. Një nga shqetësimet që kam shprehur ndër vite është mundësia që frika nga përgjegjësia ligjore të nxisë disa aktorë të kërkojnë mënyra për të penguar funksionimin normal të institucioneve.
Në këtë kuadër, kam ngritur si hipotezë dy skenarë të mundshëm: përpjekje për të arritur zgjidhje politike që do të zbusnin pasojat ligjore për politikanë të dyshuar për korrupsion, ose nxitje të një krize të rëndë që do të paralizonte institucionet dhe do të vononte proceset e drejtësisë.
Këto janë shqetësime dhe hipoteza që kërkojnë prova për t’u vërtetuar. Nuk do të ishte e drejtë të shpallnim fajtorë individë apo të pretendonim se ekziston një plan i organizuar pa dokumente, dëshmi apo hetime që e mbështesin këtë përfundim.
Por as nuk duhet të shmangim pyetjet e vështira. Në një demokraci, publiku ka të drejtë të kërkojë transparencë, ndërsa institucionet kanë detyrimin të hetojnë çdo indicie serioze për organizimin e dhunës, financimin e paligjshëm të saj ose përpjekjet për të penguar drejtësinë.
Nëse ka një skenar të tillë, ai duhet të zbulohet përmes provave dhe ligjit. Nëse nuk ka, edhe kjo duhet të bëhet e qartë. E vërteta nuk mbrohet me heshtje, por me transparencë.
Kush e quan këtë protestë paqësore?
Dhe ja ku vijmë te pyetja që për mua përmbledh gjithë shqetësimin: si mund të quhet paqësore një protestë në të cilën hidhen molotovë, sulmohen institucione, rrezikohen efektivët e policisë dhe dëmtohen pronat private?
Një protestë mund të ketë shumicën dërrmuese të pjesëmarrësve paqësorë dhe, megjithatë, të përmbajë episode të rënda dhune. Për këtë arsye, nuk duhet të etiketojmë çdo protestues si të dhunshëm. Por as nuk duhet të përdorim praninë e qytetarëve paqësorë për të mohuar aktet e dhunshme që mund të jenë kryer.
Paqësia nuk përcaktohet nga emri që i vëmë një proteste, por nga sjellja konkrete e pjesëmarrësve dhe organizatorëve.
Nëse kërkojmë të mbrojmë të drejtën e protestës, duhet të jemi të parët që distancohemi nga ata që e përdorin atë si mbulesë për shkatërrimin. Nëse kërkojmë respektimin e ligjit, duhet ta kërkojmë nga të gjithë: nga qeveria, opozita, policia, protestuesit dhe organizatorët.
Dhe nëse pretendojmë se jemi në anën e studentëve, duhet të kujdesemi që ata të mos shndërrohen në instrumente të një konflikti që drejtohet nga interesa të tjera.
Unë nuk fajësoj në mënyrë kolektive adoleshentët dhe të rinjtë që mund të jenë ndikuar nga turma, nga zemërimi apo nga fjalët e atyre që i konsiderojnë autoritete. Përgjegjësia duhet të përcaktohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave.
Por i bëj thirrje çdo politikani, analisti, pedagogu dhe figure publike që të mendojë mirë përpara se të nxisë përshkallëzimin. Fjalët kanë pasoja. Sidomos kur u drejtohen të rinjve që mund të mos i kuptojnë të gjitha rreziqet e një përplasjeje të dhunshme.
Nuk është e vështirë të bësh thirrje për revolucion nga një studio televizive. E vështirë është të ndërtosh një alternativë, të bindësh qytetarët, të fitosh besimin e tyre dhe të marrësh përgjegjësi për vendin.
Përfundim: Shqipëria ka nevojë për ndryshim, jo për shkatërrim
Shqipëria ka nevojë për drejtësi, për institucione të forta, për arsim cilësor, për një ekonomi ku qytetari të mos ndihet i braktisur dhe për një klasë politike që të japë llogari.
Ka nevojë për studentë që mendojnë lirshëm, pedagogë që argumentojnë me dije, gazetarë që hetojnë dhe politikanë që ofrojnë zgjidhje. Ka nevojë për protesta të fuqishme, për qytetarë që nuk heshtin përballë padrejtësive dhe për një opozitë që e sfidon qeverinë me alternativa bindëse.
Por nuk ka nevojë për molotovë, për shkatërrimin e bizneseve të njerëzve të zakonshëm, për sulme ndaj institucioneve dhe për fëmijë të ekspozuar ndaj rreziqeve të panevojshme.
Kushtetuta nuk është armik i protestuesve. Arsimi nuk është armik i studentëve. Policia nuk duhet të jetë mbi ligjin, por as protestuesit nuk mund të jenë mbi të. Qeveria duhet të japë llogari, por askush nuk ka të drejtë ta zëvendësojë votën me dhunën.
Nëse dikush pretendon se e do Shqipërinë, le ta tregojë duke mbrojtur qytetarët, duke kërkuar drejtësi dhe duke respektuar institucionet demokratike. Nëse dikush kërkon ndryshimin e qeverisë, le të paraqesë një alternativë që bind shqiptarët se mund ta qeverisë vendin më mirë.
Dhe nëse dikush pretendon se po mbron studentët, le të fillojë duke i mbrojtur nga rreziku, nga manipulimi dhe nga iluzioni se dhuna është rruga e vetme drejt ndryshimit.
Sepse protesta është oksigjeni i demokracisë, por dhuna është helmi i saj. Dhe kur në emër të demokracisë sulmohen Kushtetuta, Arsimi dhe prona e qytetarëve, detyrimi ynë është të pyesim jo vetëm kush po proteston, por edhe çfarë shoqërie po përpiqemi të ndërtojmë.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër vit 1997. Ka nevojë për një të ardhme ku drejtësia bëhet me ligj, pushteti ndryshon me votë dhe qytetarët nuk paguajnë me jetën, pronën apo të ardhmen e fëmijëve të tyre çmimin e ambicieve politike të askujt.
Por as nuk duhet të shmangim pyetjet e vështira. Në një demokraci, publiku ka të drejtë të kërkojë transparencë, ndërsa institucionet kanë detyrimin të hetojnë çdo indicie serioze për organizimin e dhunës, financimin e paligjshëm të saj ose përpjekjet për të penguar drejtësinë.
Nëse ka një skenar të tillë, ai duhet të zbulohet përmes provave dhe ligjit. Nëse nuk ka, edhe kjo duhet të bëhet e qartë. E vërteta nuk mbrohet me heshtje, por me transparencë.





