GAZETA E LONDRES – Policia referon në prokurori disa raste të lidhura me protestat, nën hetim edhe publikime në rrjetet sociale
Thirrje për dhunë, kërcënime ndaj bizneseve, publikim të të dhënave personale të efektivëve dhe përmbajtje me simbole naziste janë disa nga rastet që kanë vënë në lëvizje Policinë e Shtetit. Në kuadër të hetimeve për ngjarjet e lidhura me protestat e javëve të fundit, autoritetet kanë referuar në prokurori materiale për disa persona dhe llogari në rrjetet sociale, ndërsa vijon puna për identifikimin e administratorëve të profileve anonime.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se procedimet lidhen me dyshime për vepra të ndryshme penale, përfshirë thirrjet publike për veprime të dhunshme, përndjekjen, ndërhyrjen e padrejtë në jetën private dhe nxitjen e urrejtjes.
Ndër rastet e evidentuara janë publikimet e Gent Progni, i cili po hetohet për shpërndarjen e të dhënave personale, fotografive dhe videove të punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe aktiviteti në rrjetet sociale i personave të tjerë të dyshuar për nxitje të dhunës gjatë protestave.
Gent Progni nën hetim për publikimin e të dhënave të efektivëve të Policisë
Sipas njoftimit zyrtar, Gent Progni, 37 vjeç, po hetohet për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”.
Policia pretendon se ai ka publikuar në mënyrë të përsëritur të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shoqëruara me komente fyese, denigruese dhe akuzuese.
Sipas autoriteteve, këto publikime, të bëra kryesisht në kontekstin e protestave të javëve të fundit, kanë ekspozuar identitetin e efektivëve të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Policia vlerëson se një veprim i tillë mund të krijojë rrezik për sigurinë e punonjësve dhe familjarëve të tyre, si dhe të nxisë intimidim, kërcënime apo akte dhune.
Në të njëjtën llogari, sipas Policisë, janë evidentuar edhe postime me paralajmërime kërcënuese ndaj institucioneve shtetërore, si dhe thirrje për identifikimin e personave të tjerë.
Arjan Koçi nën hetim për thirrje të dyshuara për dhunë dhe mbledhje fondesh
Në hetim është përfshirë edhe Arjan Koçi, i cili, sipas të dhënave të bëra publike, deklaron se jeton në Londër dhe ka ardhur në Shqipëri gjatë periudhës së protestave të njohura si “Flamingo”.
Sipas Policisë, ai dyshohet se ka publikuar në Instagram thirrje për kryerjen e veprimeve të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit.
Gjithashtu, autoritetet dyshojnë se Koçi ka hapur një llogari në platformën GoFundMe për mbledhjen e fondeve, duke pretenduar se i rrezikohej jeta. Policia bën me dije se gjatë kontrollit atij iu gjet një dokument identifikimi në formën e një bexhi, me të cilin prezantohej si gazetar. Sipas njoftimit, dokumenti dyshohet se përdorej për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga Policia dhe është sekuestruar si provë materiale.
Eduard Ndocaj nën hetim për video me oferta parash për akte dhune
Edhe ish-deputeti Eduard Ndocaj, i njohur publikisht si “Kaubojsi”, është përfshirë në procedimet e njoftuara nga Policia.
Sipas autoriteteve, ai dyshohet për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Thirrja për urrejtje nacionale”, pasi ka publikuar në rrjetet sociale video përmes të cilave, sipas Policisë, ka ofruar shuma parash për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Arrestim pas kërcënimeve me bomba ndaj tri godinave
Një tjetër rast lidhet me Elton Xhurën, 33 vjeç, banues në Tiranë, i cili është arrestuar pasi dyshohet se ka dërguar mesazhe kërcënuese në llogarinë e Facebook-ut të një subjekti privat.
Sipas të dhënave të bëra publike, mesazhet përmbanin kërcënime për vendosjen e bombave në tri godina të ndryshme. Bizneset në fjalë ishin përballur më herët me dëmtime gjatë protestave në Tiranë, ku persona të maskuar kishin shkaktuar shkatërrime materiale.
Banderolë me simbol nazist në Universitetin Politeknik
Policia ka referuar gjithashtu materialet në prokurori për një 20-vjeçar, banues në Tiranë, i cili dyshohet se gjatë një proteste ka vendosur një banderolë me simbol nazist në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik.
Sipas njoftimit zyrtar, për këtë rast po shqyrtohen veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”.
Procedime edhe për persona të tjerë dhe llogari anonime
Përveç rasteve të mësipërme, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka referuar në prokurori materiale për disa persona të tjerë, të dyshuar për publikimin e shkrimeve, mesazheve, fotografive dhe komenteve që, sipas autoriteteve, përmbajnë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave.
Procedimet përfshijnë edhe raste të dyshuara të shpërndarjes së shkrimeve antikushtetuese, nxitjes së urrejtjes dhe grindjeve, si dhe përhapjes së informacioneve të rreme që mund të shkaktojnë panik.
Në kuadër të hetimeve, janë referuar materialet për shtatë llogari në platforma të ndryshme komunikimi online, të dyshuara për publikimin e thirrjeve për dhunë, si dhe për një llogari në Instagram, ku, sipas Policisë, janë publikuar përmbajtje që lidhen me thirrje për dhunë dhe përhapje të informacioneve të rreme që ngjallin panik.
Autoritetet bëjnë me dije se po punohet për identifikimin e administratorëve të këtyre llogarive dhe të personave të tjerë që mund të kenë lidhje me veprimtarinë e tyre.
Në hetime janë përfshirë strukturat e Policisë që merren me antiterrorizmin dhe krimin kibernetik, në bashkëpunim me prokuroritë kompetente.
Materialet procedurale janë referuar në prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme.
Sqarim: Referimi i materialeve në prokurori, regjistrimi i një procedimi apo zhvillimi i hetimeve nuk nënkupton fajësi të provuar. Përgjegjësia penale e personave të përfshirë përcaktohet nga organet kompetente, në përputhje me ligjin.





