LAMTUMIRË, MIKU YNË BASHKIM ZENELI!

GAZETA E LONDRES – LAMTUMIRË, MIKU YNË BASHKIM ZENELI!

Një jetë në shërbim të Shqipërisë, diplomacisë dhe çështjes kombëtare

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tonë, Bashkim Zeneli, një personalitet të njohur të jetës publike shqiptare, diplomat, ish-deputet, gazetar dhe publicist, i cili u nda nga kjo jetë në moshën 78-vjeçare.

Ikja e tij është një humbje për familjen dhe të afërmit, për miqtë e shumtë, por edhe për Shqipërinë, së cilës Bashkim Zeneli i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij përmes gazetarisë, politikës dhe diplomacisë.

Bashkim Zeneli ishte ndër ata intelektualë që i përjetuan dhe u përfshinë drejtpërdrejt në transformimet e mëdha të Shqipërisë pas vitit 1990. Me formimin e tij intelektual, përvojën politike dhe kulturën diplomatike, ai u bë pjesë e rëndësishme e zhvillimeve institucionale të vendit, duke shërbyer për dy legjislatura si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Një kontribut të veçantë dha në diplomacinë shqiptare, veçanërisht gjatë shërbimit si ambasador i Shqipërisë në Gjermani (1998–2002) dhe më pas në Greqi (2002–2005). Ishin vite të rëndësishme për vendin tonë, vite kur Shqipëria kishte nevojë për përfaqësim dinjitoz, për diplomaci aktive dhe për miq të sinqertë në arenën ndërkombëtare.

Angazhimi i tij në çështjen kombëtare, veçanërisht në mbështetje të Kosovës gjatë viteve të saj më të vështira, mbetet një nga dimensionet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij publike.

Përtej funksioneve dhe titujve që mbajti, Bashkim Zeneli ishte një njeri i kulturës, i komunikimit dhe i mendimit të matur. Pena e tij publicistike, analiza politike dhe përvoja diplomatike u përjetësuan edhe në botimet e tij, ndër të cilat spikasin librat “Miqësi e trazuar” dhe “Për Gjermaninë”.

Vlerësimet që mori gjatë jetës, përfshirë titullin “Mjeshtër i Madh”, ishin një dëshmi e kontributit të tij në shërbim të vendit.

Por sot, përtej detyrave, posteve dhe vlerësimeve zyrtare, ne do të kujtojmë mbi të gjitha mikun tonë Bashkim. Njeriun me të cilin ndamë biseda, mendime, kujtime dhe momente që mbeten pjesë e çmuar e jetës sonë.

Njerëzit e mëdhenj nuk kujtohen vetëm për postet që kanë mbajtur, por për gjurmët që kanë lënë, për miqësitë që kanë ndërtuar dhe për vlerat që u kanë përcjellë të tjerëve.

Bashkim Zeneli i përket atij brezi intelektualësh që besuan te Shqipëria europiane, te dialogu, te diplomacia dhe te rëndësia e marrëdhënieve të mira mes popujve.

I dashur Bashkim, largimi yt na trishton, por kujtimi yt do të mbetet i gjallë mes nesh. Shqipëria humbi një diplomat dhe intelektual të përkushtuar, ndërsa ne humbëm një mik të çmuar.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Zeneli, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.

U prehsh në paqe, miku ynë Bashkim Zeneli!

Kujtimi dhe vepra jote qofshin të përjetshme!

Hot this week

Drejtësia greke nuk pranon të kryej ADN e të akuzuarit shqiptar, Margjokaj

KMA NEWS / Gjukata e apelit në Athinë, ka...

I dënuar me burg përjetë i riu shqiptar Margjokaj, shpallet i pafajshëm

KMA NEWS / Shqiptari i dënuar me burgim të...

Nis transmetimet televizioni më i ri në Shqipëri Fax News (Ndiqe live)

KMA NEWS / Televizioni i ri informativ FAX News ka startuar...

E jashtëzakonshme: Vjen Meda me Ponin në një koncert të madh në Athinë !

KMA NEWS / E jashtëzakonshme, por ja që ndodh,...
spot_img

Related Articles

Popular Categories

spot_imgspot_img