GAZETA E LONDRES – AVOKATE MIMOZA CACA, NJË URË LIGJORE MES SHQIPTARËVE NË MBRETËRINË E BASHKUAR DHE SHQIPËRISË
Me një formim të gjerë akademik dhe përvojë profesionale në Shqipëri, Greqi dhe bashkëpunim me studio ligjore në Londër, avokatja Mimoza Caca ofron asistencë dhe këshillim juridik për bashkatdhetarët, duke lehtësuar ndjekjen e çështjeve ligjore në Shqipëri dhe duke mundësuar mbështetje profesionale edhe për problematikat juridike në Mbretërinë e Bashkuar.
Emigrimi dhe jeta larg vendlindjes shpesh shoqërohen me vështirësi të shumta, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje ligjore, procedura administrative apo probleme që kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve në Shqipëri. Për shumë shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, udhëtimet e shpeshta drejt vendit të origjinës, shpenzimet dhe vështirësitë për të ndjekur nga afër procedurat ligjore përbëjnë një problem më vete.
Në këtë realitet, shërbimet juridike të ofruara nga profesionistë që njohin sistemet ligjore dhe problematikat e komunitetit shqiptar marrin një rëndësi të veçantë.
Një prej tyre është avokatja Mimoza Caca, e cila, falë formimit akademik dhe përvojës së saj profesionale në disa vende, ka ndërtuar një profil të lidhur ngushtë me mbrojtjen dhe asistencën juridike për bashkatdhetarët.
Një formim akademik ndërkombëtar
Rrugëtimi i saj arsimor nisi në Shqipëri, ku u diplomua në fushën e shkencave sociale. Më pas, ajo vijoi studimet në Universitetin Kombëtar Kapodistriu të Athinës, një prej institucioneve universitare me traditë dhe reputacion të njohur në Greqi dhe në hapësirën akademike europiane.
Ky formim i dha mundësinë të ndërtonte një perspektivë më të gjerë mbi çështjet shoqërore, institucionale dhe juridike, duke e shoqëruar më pas në ushtrimin e veprimtarisë së saj profesionale.
Gjatë periudhës së punës në Athinë, Mimoza Caca u angazhua në çështje të ndryshme ligjore, me një fokus të veçantë te problematikat e emigracionit dhe të drejtat e shtetasve shqiptarë në Greqi.
Çështja Pëllumb Marnikollaj, një nga angazhimet më të ndjeshme të karrierës së saj
Një nga çështjet që e bëri të njohur avokaten Mimoza Caca në opinionin publik shqiptar dhe më gjërë ishte angazhimi i saj në mbrojtjen e interesave të familjes së të riut Pëllumb Marnikollaj, nga Lezha, i cili humbi jetën në gusht të vitit 2016, në rrethana të paqarta, brenda një komisariati policie në Athinë.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri dhe Greqi, duke u bërë një çështje me jehonë të gjerë mediatike dhe diplomatike. Familjarët ngritën dyshime për rrethanat e vdekjes dhe kërkuan një hetim të plotë e transparent nga autoritetet greke.
Në këtë situatë, avokatja Mimoza Caca, së bashku me kolegun e saj grek Thanasis Kabajanis, morën përsipër përfaqësimin ligjor të familjes Marnikollaj. Ata kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes, shqyrtimin e provave dhe përgjegjësinë e mundshme të personave të përfshirë.
Çështja u ndoq nga afër edhe nga mediat shqiptare. Në gusht dhe në muajt pasues të vitit 2016, televizione dhe portale të njohura, ndër të cilat News 24, Top Channel, CNA dhe Shqiptarja.com, publikuan deklarata dhe intervista lidhur me zhvillimet e hetimit dhe angazhimin e përfaqësuesve ligjorë të familjes.
Vetë avokatja Caca dha intervista për mediat shqiptare, duke folur për, ecurinë e hetimeve, ekspertizën mjekoligjore, dëmtimet e konstatuara dhe nevojën për një hetim të plotë të rrethanave të vdekjes.
Një zhvillim i rëndësishëm në këtë çështje u shënua në nëntor të vitit 2016, kur, si rezultat i këmbënguljes dhe punës profesionale të ekipit mbrojtës, prokuroria greke ndryshoi klasifikimin fillestar të ngjarjes nga vetëvrasje në krim, duke kërkuar vijimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së të riut shqiptar.
Angazhimi në këtë rast, përtej përgjegjësisë profesionale, tregoi edhe rëndësinë e përfaqësimit ligjor të emigrantëve shqiptarë në situata të vështira, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të tyre përballë institucioneve të një shteti tjetër.
Nga Athina në Tiranë dhe Londër
Përvoja e fituar në Greqi dhe marrëdhënia e krijuar me komunitetin shqiptar e kanë bërë Mimoza Cacën një emër të njohur për shumë bashkatdhetarë që kanë pasur nevojë për ndihmë juridike, veçanërisht në çështjet e emigracionit dhe të dokumentacionit.
Sot, ajo vijon veprimtarinë profesionale përmes studios së saj ligjore në Tiranë, ndërsa ushtron aktivitetin dhe koordinon shërbimet juridike edhe nga Londra.
Një prej avantazheve kryesore të këtij organizimi është mundësia që shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar të ndjekin çështjet e tyre ligjore në Shqipëri pa qenë e nevojshme të udhëtojnë vazhdimisht drejt Tiranës.
Përmes studios së saj në Tiranë dhe pikës së kontaktit në Isleworth, Londër, klientët mund të marrin asistencë, të informohen mbi procedurat dhe të koordinojnë dokumentacionin e nevojshëm për çështjet e tyre në Shqipëri.
Ndërkohë, për problematikat që lidhen me legjislacionin dhe procedurat në Mbretërinë e Bashkuar, Mimoza Caca bashkëpunon me dy studio ligjore në Londër, përmes të cilave ofrohen këshillime dhe asistencë juridike në fushat përkatëse.
Asistencë juridike për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar
Shërbimet e saj synojnë t’u japin zgjidhje një sërë problematikash me të cilat përballen bashkatdhetarët, duke përfshirë:
– Çështje civile dhe familjare në Shqipëri.
– Përfaqësim dhe ndjekje të procedurave ligjore në institucionet shqiptare.
– Çështje pronësie, trashëgimie dhe dokumentacioni.
– Asistencë për procedura administrative dhe dokumente zyrtare.
– Këshillim dhe asistencë për çështje të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, përmes bashkëpunimit me studio ligjore vendase.
– Koordinim dhe orientim juridik për problematika të ndryshme penale, sipas natyrës së çështjes dhe kompetencave profesionale të bashkëpunëtorëve ligjorë.
Ky bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar krijon një mundësi më të lehtë komunikimi dhe ndjekjeje të çështjeve ligjore për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Britani.
Një shërbim që afron drejtësinë me bashkatdhetarët
Për një emigrant që ka ndërtuar jetën e tij në Londër apo në qytete të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, të përballet me një problem ligjor në Shqipëri nuk është gjithmonë e lehtë. Shpesh, një procedurë që mund të kërkojë vetëm ndjekje profesionale dhe dokumentacion të rregullt kthehet në një proces të gjatë, me udhëtime, shpenzime dhe humbje kohe.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e shërbimit që ofron avokatja Mimoza Caca: të jetë një pikë referimi juridike për bashkatdhetarët, duke i ndihmuar të kuptojnë të drejtat e tyre, të ndjekin procedurat dhe të kenë komunikim më të lehtë me përfaqësuesit ligjorë në të dy vendet.
Përtej aspektit profesional, përvoja e saj me komunitetin shqiptar në Greqi dhe tashmë në Mbretërinë e Bashkuar përbën një vlerë të shtuar në komunikimin dhe kuptimin e problematikave që shqetësojnë emigrantët.
Në një kohë kur komuniteti shqiptar në Britani po zgjerohet dhe nevojat për shërbime profesionale po shtohen, iniciativa të tilla përbëjnë një ndihmë konkrete për bashkatdhetarët që kërkojnë të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre ligjore, pa humbur lidhjen me vendin e origjinës.
Mimoza Caca synon të jetë një urë bashkëpunimi dhe asistence juridike mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe institucioneve ligjore në Shqipëri, duke e bërë më të arritshme ndihmën profesionale për ata që kanë nevojë.





